Raportimet aktuale mbi protestat në Iran bëjnë të dukshme atë që popullsia iraniane e vuan prej dekadash. Represioni në Iran nuk është një ngjarje e rastësishme, por pjesë e doktrinës shtetërore. Organizimi kolektiv në Iran do të thotë t’i nënshtrohesh pasojave të paparashikueshme – një rrezik që njerëzit e marrin përsipër me guxim të madh dhe me çdo çmim.
“Rruga drejt çlirimit të punëtoreve dhe punëtorëve, si edhe e popullsisë punëtore, nuk kalon përmes ‘figurave udhëheqëse’ të prodhuara nga lart, përmes varësisë nga fuqitë e huaja apo përmes fraksioneve brenda rendit sundues.” Me këtë qartësi u pozicionua sindikata e shoferëve të autobusëve të Teheranit me rastin e protestave të reja në Iran.
Ky është një deklarim me peshë historike: Që nga themelimi i sindikatës në vitin 1958, bashkëthemeluesit dhe anëtarët e saj i janë nënshtruar vazhdimisht represionit. Ata janë arrestuar dhe torturuar gjatë paraburgimit. Aktivistet dhe aktivistët sindikalë në Iran, edhe sot, përballen me pushime nga puna, dënime me burg, tortura dhe në disa raste edhe me dënim me vdekje. Veprimtaria e pavarur sindikale dhe format e tjera të organizimit kolektiv shtypen në Iran përmes një represioni sistematik dhe brutal.
Kur flasim për një opozitë jo të bashkuar në Iran, nuk duhet harruar se sa guxim kërkohet që në një vend pa liri organizimi dhe me ndalim të partive e sindikatave, të krijosh fare forma të organizimit kolektiv. Opozita e paguan shtrenjtë lirinë: ajo është pas hekurave, në mërgim, ose në protesta, ku mund ta paguajë me jetë në çdo moment. Shtypja prej dekadave e organizatave të pavarura ka kufizuar mundësitë e vetë‑përfaqësimit kolektiv. E megjithatë, aktualisht po shohim një simbiozë të dy luftërave: lufta për liri politike po shkrihet me kërkesën për siguri sociale. Sërish, popullsia po tregon se ka arritur në një pikë ku është e gatshme të përballet me çdo pasojë për të mbrojtur të drejtat e saj.
Mesazhi i shoferëve të autobusëve të Teheranit është simptomatik për pjekurinë e lëvizjes: ata kërkojnë një zgjidhje të brendshme. Është një refuzim i logjikës së përfitimit gjeopolitik dhe i rikthimit te strukturat e vjetra autoritare. Teksti nënvizon një të vërtetë themelore të sociologjisë politike: një ndryshim i vërtetë shoqëror nuk mund të importohet – ai duhet të lindë nga luftërat autonome që burojnë nga vetë zemra e shoqërisë.
autorja është studente dhe bën një praktikë te sindikata Unia.