Migracion
Politikë

Bashkërisht për drejtësi sociale

- Emine Sariaslan

Në Kongresin e 5-të të rregullt të sindikatës Unia në Brig u takuan 400 delegatë nën moton: Bashkërisht për drejtësi sociale. Ata përcaktuan prioritetet politike, zgjodhën organe të reja dhe dërguan një sinjal të qartë për një të ardhme solidare.

Në fjalimin e saj hapës, kryetarja e Unia-s, Vania Alleva, paralajmëroi për rritjen e forcave të krahut të djathtë dhe bëri thirrje për një angazhim të vendosur për mbrojtjen e pagave, të drejtat e punëtorëve dhe pjesëmarrjen demokratike, duke theksuar rëndësinë e angazhimit kolektiv: "Frika dhe mungesa e shpresës lënë mundësinë e humbjes së rrugës. Kohët e vështira duhet të na nxisin të forcojmë angazhimin tonë për solidaritet, drejtësi, të drejta për të gjithë dhe pjesëmarrje demokratike. Sindikatat në këto kohë sfiduese janë më të rëndësishme se kurrë.", theksoj Vania Alleva. 

Mbrojtje të pagave - zgjerim të drejtash!

Në qendër të ditës së parë të Kongresit ishte mbrojtja e lëvizjes së lirë të personave dhe lufta kundër nismës së SVP/UDC-së për kufizimin e migracionit. Unia thekson fuqishëm: Pagë të njëjtë për punë të njëjtë në vend të njëjtë që mbetet parim i pa negociuar. Anëtarë të grupit të interesit të migracionit Sudebeh dhe Olga theksuan përgjegjësinë e sindikatave në luftë kundër racizmit strukturor dhe ndarjes sociale. "Ne migrantët kontribuojmë me shumë punë, dhe megjithatë shpesh nuk gëzojmë të njëjtat të drejta dhe të njëjtën njohje. Të pasurit dhe të fuqishmit përfitojnë nga ndarja jonë - në zviceranë dhe të huaj, në 'ne' dhe 'të tjerët', në 'legal' dhe 'ilegal'. Por ne themi:  Mjaft më! Ne nuk lejojmë të na ndajnë - ne luftojmë së bashku për të drejtat tona." 

Më shumë të drejta për migrantët

Delegatët kërkuan gjithashtu qartas të drejta afatgjata qëndrimi në vend të lejeqëndrimit të pasigurt. Asnjë dëbim për shkak të përfitimeve të ndihmave sociale, njohje e thjeshtuar e diplomave të huaja, migrim i ligjshëm i fuqisë punëtore dhe marrëveshje kolektive, si dhe natyralizim pa hendeqe financiare - sipas kritereve objektive.

Nga Pakistan deri në Europë

Folësja e ftuar Zehra Khan rrëfeu në fjalimin e saj luftarak dhe frymëzues se si themeloi sindikatën e parë për punëtorët në amvisni në Pakistan në vitin 2009, duke u dhënë kështu zë miliona punëtorëve të padukshëm në ketë sektor joformal. "Lëvizja jonë është pjesë e një nisme globale, që kërkon të merren në përgjegjësi ndërmarrjet. Kjo ka inspiruar ligjbërësit, t’i mbanë korporatat shumëkombëshe përgjegjëse për kushtet e punës edhe në zinxhirët e tyre të furnizimit. Edhe ndërmarrjet europiane dhe zvicerane mbajnë përgjegjësi. Rregullat e BE-së dhe iniciativa zvicerane për përgjegjësinë e korporatave janë hapa të rëndësishëm për kushte korrekte pune." 

Mbrojtja prej largimit nga puna dhe debati mbi Palestinën

Me nismën nga Tiçno delegatët vendosë njëzëri që deri më 2026 të përpunojnë një nismë mbi mbrojtjen e largimit nga puna. Pos kësaj nga Qeveria federale u kërkua një qëndrim të qartë përkrahës për të drejtat e palestinezëve. Në një debat emocional u kritikua qëndrimi i deritashëm i rezervuar i Unia.  Delegatët aprovuan njëzëri kërkesat për mbështetjen e popullsisë civile palestineze - shoqëruar me brohoritjet "Liri për Palestinën". Celine nga grupi i rinisë theksoi: "Ne qëndrojmë në anën e njerëzve - jo të qeverive, jo interesave për pushtet apo as strategjive ushtarake. Ky është thelbi i solidaritetit sindikalist: pa moral të dyfishtë, pa heshtje. Ne duhet të ndalojmë gjenocidin në Palestinë dhe të solidarizohemi me popullsinë civile.