Punë
Shoqëri
Pas Takimit-Tre-Vendesh në Bernë

Gratë e ndërtimtarisë i shpallin luftë seksizmit

- Hilmi Gashi

Në kuadër të konferencës së 10-të Tre-Vendesh të Grave në profesionet e ndërtimtarisë dhe drurit në Bernë, rreth 50 gra në sektorin e ndërtimtarisë nisën një peticion online kundër ngacmimit seksual. Përmes një aksioni publik ato kërkojnë respekt, siguri dhe trajtim të barabartë në vendin e punës. Mesazhi i tyre ishte i qartë: Ato duan të lyejnë, ndërtojnë, gdhendin dhe instalojnë - të lira nga ngacmimet, poshtërimet, dhuna dhe keqpërdorimi i epërorëve.

Peticioni i drejtohet punëdhënësve, shoqatave të sektorëve dhe ligjbërësve. Gratë e ndërtimtarisë kërkojnë masa detyruese, të tilla si rregulla të qarta kundër ngacmimit, trajnim të detyrueshëm, persona kontakti të caktuar në rast sulmi dhe sanksione për shkeljet. Demonstrueset thanë se punëdhënësit duhet më në fund ta marrin seriozisht detyrën e tyre të kujdesit. Me slogane si "Trupi im nuk është punë për ty" dhe "Hapi sytë, shef - ndalo ngacmimin seksual në punishtet e ndërtimit!", ato tërhoqën vëmendjen ndaj shqetësimeve të tyre. Kushdo që dëshiron të tërheqë më shumë gra në profesionet e ndërtimtarisë duhet të krijojë një kulturë mikpritëse. 

Ligji për barazinë nuk mjafton

Ndërmarrjet dhe autoritetet janë të thirrura të mbështesin juridikisht, psikologjikisht dhe praktikisht të prekurat nga ngacmimet seksuale, dhunës së seksualizuar dhe bullizmit. Gratë e ndërtimtarisë kritikojnë faktin se, ndërsa ligji për barazi ndalon diskriminimin dhe ngacmimin, ai të prekurave nuk u ofron pothuajse asnjë mjet efektiv për të mbrojtur veten kundër kolegëve, eprorëve ose klientëve abuzivë. Një përmirësim përkatës i ligjit u refuzua së fundmi nga një shumicë e qendrës së djathtë SVP-FDP. Drejtuesja e ndërtimtarisë Rita Zürcher (64 vjeç) komentoi: Është tmerruese, që gratë ende nuk mund të punojnë të pa shqetësuara sot dhe u duhet të dëgjojnë pandërprerë komente idiote. Një pikë tjetër qendrore e peticionit është kërkesa që Zvicra më në fund të ratifikojë Konventën nr. 190 të ILO-s (Organizatës Ndërkombëtare të Punës) mbi mënjanimin e dhunës dhe ngacmimit në vendin e punës. Një anketë e Unia nga viti 2023 tregon nevojën urgjente për veprim: Rreth gjysma e grave të ndërtimtarisë të anketuara kanë përjetuar tashmë ngacmim seksual në vendin e punës, një e katërta madje edhe dhunë të seksualizuar.

Solidariteti nuk njeh kufij

Aksioni në Bernë ishte pjesë e një shkëmbimi ndërkombëtar. Krahas grave zvicerane të ndërtimtarisë morën pjesë edhe delegate gjermane të grupit të interesit të ndërtimtarisë dhe ato austriake grupit të ndërtimtarisë dhe drurit. Ato u solidarizuan me kërkesat e kolegeve zvicerane.Nën moton "Klimë e mirë në punishtet e ndërtimit", pjesëmarrëset diskutuan edhe ndikimet e ndryshimeve klimatike në punën e tyre. Në një rezolutë, ato kërkuan që puna në natyrë të ndërpritet kur temperaturat të arrijnë 33 gradë Celsius. Pos tjerash, ato i bënë thirrje Senatit që të miratojë mocionin "Zgjatja e afateve gjatë valëve të vapës" në mënyrë që të mos vendosen dënime kontraktuale në rast të ndërprerjeve të lidhura me motin.

Peticioni mund të nënshkruhet online në lidhjen vijuese:  https://unia.ch/stopp-belaestigung