Sipas një ankete të realizuar para pak kohësh nga Unia shegertët në Zvicër vuajnë nga kushte shqetësuese pune, të karakterizuara nga nivele të larta stresi dhe rraskapitje të përgjithshme. Gati një e treta e këtyre njerëzve të rinj përballet me diskriminim, si racizëm, bullizëm apo ngacmime seksuale, që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre psikologjike. Këto realitete kërkojnë masa urgjente.
Anketa e Unia ndër shegertët rezultoi, që 92 përqind e shegertëve ndjejnë stres në vendin e punës dhe dy e treta e tyre gjithashtu edhe jashtë veprimtarisë së tyre profesionale shpesh apo edhe gjithmonë janë të rraskapitur. Kjo situatë shpeshherë ashpërsohet më tej përmes orëve të tepërta e ilegale të orarit të punës dhe situatave të shpeshta diskriminuese. Si shpjegon Félicia Fasel, sekretare për rini në Unia, këto diskriminime kanë pasoja të rënda afatgjate. "Kur kemi parasysh se problemet e shëndetit mendor në rini ndikojnë në pjesën tjetër të jetës, kuptojmë se luftimi i diskriminimit është një çështje e shëndetit të përgjithshëm."
Si përgjigje të kësaj situate alarmante, Unia propozon një sërë masash për mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor të shegertëve e praktikantëve. Në këto masa përfshihen zvogëlimi i orarit të punës duke shtuar njëherazi ditët e pushimit, rritjen e kontrolleve në ndërmarrje, për të garantuar respektimin e të drejtave të shegertëve si dhe rritjen e pagave "Këto reforma janë vendimtare për të krijuar kushte të respektueshme të punës dhe për të siguruar që shegertët të njihen si një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë zvicerane," përfundon Félicia Fasel.
Sindikata Unia paralajmëron: Pa këto përmirësime sistemi i arsimimit profesional në Zvicër kërcënon të humbë në atraktivitet, gjë që mund të ketë ndikim në tërë tregun e punës. Një arsimim profesional nën kushte të shëndosha, të respektueshme dhe korrekte është thelbësore jo vetëm për të rinjtë, por gjithashtu edhe për sigurimin e kuadrove të reja ekonomike të vendit. Thirrja për ndërmarrje të masave nuk është vetëm një çështje e drejtësisë, por edhe një kërkesë për shëndetin dhe mirëqenien e një brezi të tërë punëmarrësish të ardhshëm.