Kostot e jetesës po rriten. Ndërkohë që punëtorët janë gjithnjë e më shumë produktiv, pagat ka vite që kanë mbetur prapa zhvillimeve ekonomike. Prandaj, në këtë raund pagash nevojiten urgjentisht rritje prej 2 deri në 2.5 për qind për të gjithë. Kështu deklaroi presidentja e Unia-s, Vania Alleva, në konferencën për media mbi pagat të Bashkimit Sindikal Zviceran (SGB) më 4 shtator 2025.
Ekonomia zvicerane, në shumicën e sektorë funksionon mirë. Gjithashtu edhe dihet se 99 për qind e të punësuarve nuk preken drejtpërdrejt nga tarifat doganore amerikane. Megjithatë, pagat kanë mbetur prapa zhvillimit ekonomik prej vitesh. Ndërmarrjet kanë mundësi të paguajnë më shumë – gjendja e tyre ekonomike është përgjithësisht e mirë. Në disa sektorë – si në banka apo në transport– sindikatat e Unionit Sindikal të Zvicrës (SGB/USS)-së kërkojnë deri në 3 për qind rritje për të kompensuar inflacionin e pritur, për të zbutur në mënyrë sociale rritjen e çmimeve të sigurimeve shëndetësore dhe për të siguruar një rritje reale të pagave.
Edhe pse inflacioni ka rënë pas viteve me humbje të mëdha të fuqisë blerëse, qiratë vazhdojnë të rriten dhe premitë e sigurimeve shëndetësore rëndojnë ndjeshëm buxhetet familjare. Familjet paguajnë sot mesatarisht mbi 1100 franga në muaj për premi të sigurimeve – me tendencë në rritje. Prandaj, punëdhënësit duhet të marrin më shumë pjesë në mbulimin e kostove shëndetësore.
Është shqetësuese që pothuajse një e treta e profesionistëve me zanat të përfunduar, fitojnë më pak se 5000 franga në muaj. Paga të tilla i dekurajojnë të rinjtë të fillojnë një zanat ose të qëndrojnë në profesionin e mësuar, duke e përkeqësuar mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Një zanat duhet të vlejë. Në konferencën për shtyp mbi pagat të SGB-së, presidenti Pierre-Yves Maillard tha: “Unioni Sindikal i Zvicrës kërkon për vitin 2026 rritje pagash prej 2 deri në 2.5 për qind. Kjo për të siguruar fuqinë blerëse, për të shpërblyer zhvillimin e produktivitetit dhe për të reduktuar nevojën për kompensim nga vitet e kaluara.” Presidentja e Unia-s, Vania Alleva, theksoi: “Edhe një zanat nuk është garanci për paga të mira. Shumë profesionistë, edhe me përvojë, fitojnë më pak se 5000 franga. Punëtorët me diplomë zanati kanë nevojë urgjente për të paktën 5000 franga në muaj.”