Komisioni Kundër Racizmit po bën thirrje për një ligj të përgjithshëm për trajtim të barabartë në 30-vjetorin e ekzistencës së Komisionit. Qëllimi i ligjit është të garantojë të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë njerëzit dhe të luftojë diskriminimin në mënyrë gjithëpërfshirëse. Më ketë do të mbyllet boshllëku ligjor.
Të gjithë njerëzit në Zvicër duhet të kenë të njëjtat të drejta dhe mundësi. Ligji për trajtim të barabartë synon të mbulojë të gjitha format e diskriminimit dhe të sigurojë mbrojtjen e të prekurve. Një ligj i tillë do të mbyllte boshllëqet ekzistuese në mbrojtjen ligjore, sqaruan përfaqësuesit e EKR-së për mediat në Bernë. Sipas këndvështrimit të Komisionit, mbrojtja aktuale kundër diskriminimit racor është e pamjaftueshme. “Deri më tani, e drejta civile zvicerane nuk ofron ndonjë mbrojtje specifike kundër diskriminimit”, thekson kryetarja e EKR-së Ursula Schneider Schüttel. Diskriminimi shkel dinjitetin njerëzor dhe nuk guxon të tolerohet më gjatë. Një demokraci liberale si Zvicra bazohet në bindjen, që çdo person ka të drejtën e pranimit, respektit dhe drejtësisë - pavarësisht veçorive të tilla si origjina, gjinia, orientimi seksual, përkatësia fetare ose aftësia e kufizuar, thuhet më tutje. Diskriminimi nuk është “vetëm një padrejtësi individuale, por një sulm ndaj vlerave themelore të shoqërisë sonë”. Kjo minon besimin në institucionet demokratike, shkatërron kohezionin shoqëror “dhe na pengon si shoqëri në atë, që të shpalosim potencialin tonë të plotë”.
Në vitin e kaluar, sipas EKM, 17 përqind e popullsisë në Zvicër deklaruan se në pesë vitet e fundit kishin qenë viktima të diskriminimit racist - qoftë në punë, në shkollë, në qasjen banesore apo në jetën e përditshme. Megjithatë, ende mungojnë instrumentet ligjore për ta luftuar racizmin në mënyrë efektive. Norma penale mbi diskriminimin, që përqendrohet në gjuhën e urrejtjes dhe aktet degraduese në hapësirat publike, është larg të qenit e mjaftueshme për të luftuar racizmin dhe diskriminimin në mënyrë efektive dhe në një rrafsh të gjerë.
Nën moton "festoni, kuptoni, ecni përpara", në mbrëmjen e 4 qershorit, në prani të Qeveritares Federale Elisabeth Baume-Schneider dhe politikanëve të shumtë, përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave të të drejtave të njeriut, si dhe anëtarëve të mëparshëm dhe aktualë të Komisionit, u nderua lufta kundër racizmit dhe diskriminimit të tre dekadave të fundit, manifesti iu prezantua dhe iu dorëzua zyrtarisht kryetares së Parlamentit nacional, Maja Riniker. Manifesti i EKR është një apel për politikën, institucionet dhe shoqërinë civile që të bashkojnë forcat për të ankoruar trajtimin e barabartë në ligjin zviceran. Legjislacioni duhet të ofrojë mbrojtje efektive kundër të gjitha formave të diskriminimit – me qëllim mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, si vlerë qendrore në themel të shoqërisë sonë.
Që nga themelimi i saj në vitin 1995, pas përfshirjes së Nenit 261bis në Kodin Penal – i cili tani shpesh quhet dispozita kundër diskriminimit – EKR është angazhuar në luftën kundër racizmit dhe diskriminimit në Zvicër. Komisioni u krijua për tu angazhuar që të përcjell zbatimin e dispozitës penale dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut. EKR analizon, dokumenton, këshillon dhe kështu përparon vazhdimisht debatin shoqëror, masat politike dhe hulumtimin mbi këtë temë. Miratimi i Nenit 261bis të Kodit Penal Zviceran, i cili ndalon veprimet publike të motivuara nga racizmi, ishte në përputhje me ratifikimin nga Zvicra të Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor në vitin 1994 - një moment i rëndësishëm në krijimin e një qasjeje mbarëkombëtare për të luftuar racizmin.