Më 1 Maj, në ditën ndërkombëtare të punës, ne si sindikatë dalim bashkërisht në rrugë. Ne qëndrojmë krah për krah – për kushte më të mira pune, paga korrekte, drejtësi sociale dhe respekt për të gjithë njerëzit që jetojnë dhe punojnë këtu.
Në një kohë kur parullat e krahut të djathtë po bëhen përsëri më të zëshme, nxitja e urrejtjes kundër migrantëve po shtohet dhe pasiguria sociale po rritet, të dërgojmë një mesazh të qartë: Solidariteti është përgjigja jonë! Jo ndarje, jo përjashtim, porse të qëndruarit së bashku ne na bënë të fortë. 1 Maji: Një ditë lufte me rrënjë në SHBA - sot më aktuale se kurrë. Pakkush e di se 1 Maji, dita ndërkombëtare e luftës për klasën punëtore, e ka origjinën në SHBA. Më 1886, qindra mijëra në Çikago dhe qytete të tjera hynë në grevë për 8 orë pune në ditë. Ishte një kohë e shfrytëzimit brutal, por gjithashtu edhe e rezistencës së guximshme Kjo ditë shënon guximin dhe vendosmërinë e punëtorëve për t'u mbrojtur kundër shfrytëzimit - pavarësisht nga origjina, gjuha apo ngjyra e lëkurës. Kryengritja e Haymarket u bë simbol i luftës kundër padrejtësisë sociale – në mbarë botën. Sot – pothuajse 140 vjet më vonë – sa ironike është që, nga të gjitha vendet, pikërisht në SHBA, kjo ditë mezi festohet më – dhe në vend të kësaj, nxitja e urrejtjes nga krahu i djathtë, armiqësia ndaj sindikatave dhe përjashtimi sistematik po fitojnë përsëri ndikim. Me rikthimin e politikës së Donald Trump, po përjetojmë një rritje dhe përzierje të rrezikshme të nacionalizmit, racizmit dhe përçarjes sociale. Gjithashtu edhe në Evropë po shohim zhvillime të ngjashme: Populistët e krahut të djathtë nxisin urrejtje kundër migrantëve, mbjellin mosbesim dhe sulmojnë qëllimisht solidaritetin midis punëtorëve të origjinave të ndryshme. Pikërisht shumëllojshmëria e shoqërisë sonë është forca e saj – në ndërmarrje, në shkolla, në lagje. Mirëpo, pikërisht kjo është strategjia: Divide et impera – Ndajë dhe sundo.
1 Maji na kujton se të drejtat tona nuk na janë dhuruar. Për to u luftua – nëpërmjet organizimit, nëpërmjet rezistencës dhe nëpërmjet solidaritetit. Prandaj është edhe më e rëndësishme të mbajmë mend kuptimin origjinal të 1 Majit: Solidaritet në vend të nxitjes! Lufta për drejtësi sociale, për dinjitet njerëzor dhe për të drejta të barabarta nuk njeh kombësi. Është ndërkombëtare – dje dhe sot, dhe për këtë forcë ne sot kemi nevojë më shumë se kurrë. Ne përjetojmë se si njerëzit me rrënjë të huaja janë ende të pafavorizuar, pavarësisht punës së palodhur dhe integrimit të plotë - qoftë kur kërkojnë punë, në shkollë apo kur kërkojnë një banesë, në mësimdhënie apo kur duhet tu njihen diploma te tyre. Në të njëjtën kohë, ata janë shtyllat bartëse të ekonomisë sonë - qoftë në kujdes, ndërtimtari, pastrim apo gastronomi. Çdokush që punon këtu meriton respekt, pjesëmarrje dhe siguri - jo mosbesim dhe diskriminim. Prandaj ne vazhdojmë të luftojmë – për të drejta të barabarta, për paga të drejta, për mbrojtjen e më të dobëtëve, për arsim dhe mundësi të barabarta – pavarësisht nga origjina, ngjyra e lëkurës apo statusi i qëndrimit.
„Së bashku ne jemi të fortë“ – kjo është më shumë se sa moto e Unia-s. Është një thirrje për t’u organizuar, për të mbrojtur njëri-tjetrin dhe për të mos lejuar veten të përçahemi. Sepse nëse ne lejojmë të përçahemi, do të përfitojnë vetëm ata që shfrytëzojnë frikën tonë për të ndërtuar pushtet mbi kurrizin e më të dobëtëve. Përgjigja jonë ndaj nxitjes së urrejtjes është të qëndruarit bashkë. Fuqia jonë është solidariteti.
Migrant:et do të dalin në rrugë anembanë Zvicrës më 1 Maj. Anëtarë të shumtë të Komisionit të Migracionit flasin në vende të ndryshme, si: p.sh. Emine Sariaslan në Langenthal (BE), Lilia Benyezzar në Moutier (JU), Olga Pisarek në Bern dhe Hilmi Gashi në Aarau. Eja edhe ti! Ju mund t'i gjeni datat e sakta dhe programin e festimeve të 1 Majit në regjionin tuaj në hartën interaktive: Solidariteti në vend të urrejtjes - së bashku ne jemi të fortë! | 1. Maj 2025 .