Politikë

«Iniciativa për Qëndrueshmëri» rrezikon pagat, pensionet dhe vendet e punës

- Hilmi Gashi

«Iniciativa për Qëndrueshmëri» e Partisë popullore të Zvicrës SVP/UDC tingëllon e padëmshme, por pas këtij emri fshihet një sulm masiv ndaj të drejtave, pagave, pensioneve dhe vendeve të punës.

Ndërkohë që pagat ngecin dhe premitë e sigurimit shëndetësor si dhe qiratë vazhdojnë të rriten, iniciativa nuk ofron asnjë zgjidhje. Përkundrazi: ajo i përkeqëson problemet që rëndojnë sot shumë njerëz. Kjo parti me këtë nismë të rrezikshme, dëshiron ta kufizojë popullsinë e përhershme me vendbanim në mënyrë të ngurtë në 10 milionë deri në vitin 2050. Për të arritur këtë qëllim, duhet sipas saj, të anulohen marrëveshjet qendrore me BE-në, të shfuqizohet e drejta e azilit dhe kështu, automatikisht, të hiqet edhe mbrojtja e pagave.

Pagat dhe pensionet në rrezik

Me fundin e lëvizjes së lirë të personave, masat shoqëruese do të zhdukeshin. Pa kontrolle, kërcënon një dumping i gjerë pagash. Sindikatat paralajmërojnë: mbrojtja e pagave do të shembej. Edhe pensionet do të ishin seriozisht të rrezikuara. Kryeekonomisti i Bashkimit të Sindikatave të Zvicrës, Daniel Lampart, llogarit deri në 2200 franga më pak pension në vit për punonjësit e rinj, sepse AHV/AVS (sigurimit të pleqërisë) do t'i mungonin miliarda kontribute. Më pak të rinj në tregun e punës do të thotë kontribute më të larta, moshë më e lartë pensioni ose pensione më të ulëta.

Kujdesi shëndetësor rrezikohet

Një votë «Po» do të godiste veçanërisht rëndë sektorin e shëndetësisë. Mbi një e treta e personelit shëndetësorë (infermier) dhe rreth gjysma e mjekëve vijnë nga jashtë. Pa këta specialistë, mungesa e personelit do të rritej në mënyrë dramatike. Kjo rrezikon kujdesin mjekësor dhe i rrit edhe më shumë premitë. Edhe ekonomia do të prekej: gjysma e eksporteve zvicerane shkon në bashkimin evropian. Pa marrëveshjet bilaterale, ndërmarrjet humbasin qasjen në tregun më të rëndësishëm, gjë që çon në çmime më të larta, më shumë burokraci dhe rënie të investimeve. Përveç kësaj, pas arritjes së kufirit prej 10 milionësh, nuk do të lejohej të punësohej asnjë specialist i huaj shtesë – një disavantazh i paralajmëruar për vendndodhjen ekonomike.

Kaos në vend të zgjidhjeve

Iniciativa nuk zgjidh asnjë nga problemet aktuale si qiratë e larta apo rritja e premive. Ajo shkakton më tepër presion mbi pagat, pensione të pasigurta dhe kosto më të larta. Kryetarie i Bashkimit të Sindikatave të Zvicrës USS/SGB, Pierre-Yves Maillard, e thotë qartë: «Kjo iniciativë nuk është në interesin e punëtorëve, nuk është në interesin e pensionistëve dhe nuk është në interesin e vendit tonë.» Edhe kryetarja e Sindikatës Unia, Vania Alleva, paralajmëron: «Kush dobëson mbrojtjen e pagave dhe sulmon të drejtat e migrantëve, sulmon themelet e sigurisë sonë sociale.»

Komisioni i Migracionit i Unia-s dhe sindikatat po luftojnë prandaj me vendosmëri kundër iniciativës. Sepse SVP/UDC përmes saj sulmon të drejtat themelore dhe parimet qendrore për migrantët dhe punëtorët. Përgjigja ndaj këtij sulmi është bashkimi, solidariteti dhe një «Jo» e qartë në kutitë e votimit.

Për më shumë informacione ndiqni lajmet në Horizonte: https://horizonte.unia.ch/sq 

Për informacione në gjuhët e vendit: gjermanisht, frëngjisht dhe italisht