Migracion
Politikë
Votimi për Iniciativën e Demokracisë

Këtu në shtëpi: Një demokraci me të gjithë!

- Hilmi Gashi

Nën këtë titull, shoqata Aktion Vierviertel ka nisur në fund të tetorit në Bernë fushatën e saj të votimit për Iniciativën për Demokraci. Koncepti, vizualet dhe materialet u prezantuan me rastin e Asamblesë së Përgjithshme dhe festës në vijim. Më 28 shkurt 2027 do të votohet për Iniciativën e Demokracisë.

Kushdo që jeton dhe punon në Zvicër, duhet të ketë të drejtën e natyralizimit (marrjes së pasaportës). Këtë e kërkon Iniciativa për Demokraci, e cila u mblodhi mbi 100’000 nënshkrime dhe u dorëzua me sukses. E drejta e natyralizimit duhet të përcaktohet në të ardhmen përmes katër kritereve objektive dhe përfundimtare: një qëndrim i ligjorë pesëvjeçar në Zvicër, njohuri bazike të një gjuhe kombëtare, mosrrezikim i sigurisë së brendshme dhe të jashtme, si dhe mosndjekje për vepra të rënda penale. Kush i plotëson këto kushte, ka një të drejtë ligjore për pasaportën zvicerane. Kjo i jep fund testeve dhe procedurave të sotme të natyralizimit, të cilat shpesh kritikohen si shikanuese, eliminon arbitraritetin dhe forcon themelin e demokracisë zvicerane. 

Deficiti i demokracisë është i vetëshkaktuar

Sot, mbi 2.5 milionë njerëz në Zvicër nuk kanë pasaportë zvicerane. Fakti që një pjesë gjithnjë e më e madhe e popullsisë rezidente zvicerane përjashtohet nga pjesëmarrja politike është pasojë e ligjit restriktiv të natyralizimit. Revizioni i fundit i vitit 2018 shkurtoi periudhën e detyrueshme të qëndrimit nga dymbëdhjetë në dhjetë vjet, por në të njëjtën kohë rriti barrierat formale dhe strukturore. Kështu, leja e qëndrimit të përhershëm (C) kërkohet si kusht i domosdoshëm dhe kërkesat gjuhësore u ashpërsuan aq shumë në praktikë, saqë shumë migrant, të huaj dhe pa arsim të lartë universitar praktikisht nuk kanë më asnjë shans për natyralizim. Kush nuk ka një arsim të lartë shkollor dhe bën punë krahu, për shembull në ndërtim ose në pastrim, vështirë se mund t'i plotësojë më kërkesat formale, të cilat janë gjithnjë e më të larta. 

Një e “drejtë për të drejta” në vend të deficitit të demokracisë

Unia e mbështet Iniciativën e Demokracisë, pasi ajo sjell kritere objektive e të njëtrajtshme si dhe një të drejtë ligjore për natyralizim pas pesë vitesh qëndrim. Sot Zvicra ka një deficit të madh demokracie, i cili prek veçanërisht migrantët që punojnë, të cilët kontribuojnë në ekonominë dhe shoqërinë zvicerane, por nuk kanë të drejta politike. Çdo e treta orë pune në Zvicër kryhet nga një person pa pasaportë zvicerane. Nga ky këndvështrim, një pjesë e madhe e popullsisë aktive në punë është e përjashtuar nga procesi i vendimmarrjes politike, edhe kur bëhet fjalë për ligjet e punës, pensioneve, sigurimeve shoqëror tej. Të cilat prekin drejtpërsëdrejti kushtet e jetës dhe punës së tyre në këtë vend.

Një mbështetje e gjerë shoqërore për iniciativën

Iniciatoret dhe iniciatorët e shohin fushatën e votimit me shumë besim. «Ne e kemi dëshmuar tashmë gjatë mbledhjes së nënshkrimeve. Falë mbështetjes së gjerë të një baze të larmishme njerëzish të angazhuar, në rajone të ndryshme të Zvicrës, mund t’i siguronim nënshkrimet e nevojshme për një iniciativë kaq të rëndësishme», tha bashkëkryetari Arbër Bullakaj, deputet i Këshillit Kombëtar nga radhët e Partisë Socialdemokratike, si dhe iniciator dhe bashkëthemelues i shoqatës Aktion Vierviertel. Këtë vrull duhet ta bartim tani në fushatën e votimit. Fushata zhvillohet për një Zvicër që u jep zë të gjithëve atyre që jetojnë dhe punojnë këtu.