Nga e majta: Agnese Zucca, Nadim Chammas dhe Arbër Bullakaj rrugës për në Parlament. Foto: e siguruar nga arkivi i personave në foto
Politikë
Qendra e djathtë nuk dëshiron demokraci të plotë

Ku nuk ka vullnet, nuk gjendet as rrugë

- Hilmi Gashi

Parlamentarët e qendrës së djathtë në Komisionin për Politika Shtetërore të Këshillit Nacional (SPK-N) refuzojnë Iniciativën për Demokraci dhe një propozim pragmatik alternativ për lehtësimin e natyralizimit të gjeneratës së dytë. Pavarësisht nevojës për veprim dhe kundër realitetit.

Më 21 janar 2026, Komisioni për Politikë Shtetërore të Këshillit Kombëtar (SPK-N) diskutoi Iniciativën tonë për Demokraci. Një delegacion i vogël u ftuar për të prezantuar iniciativën dhe për t'iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit. Agnese Zucca (bashkëkryetare), Arbër Bullakaj (bashkëkryetar) dhe Nadim Chammas (anëtar i bordit të Aktion Vierviertel) morën pjesë në dëgjim. Unë isha i ftuar si zëvendës. Duke qenë se të tre u paraqitën në dëgjim, preferova të mos hyja në ndërtesën e Parlamentit (Bundeshaus), por të prisja jashtë. Ishte një pritje e gjatë. Kur delegacioni doli nga ndërtesa, në fytyrat e tyre shihej lehtësimi.

Pyetje pjesërisht të nivelit të ulët

Ishte një mbledhje e vështirë dhe pyetjet ishin pjesërisht të një niveli shumë të ulët. Sidomos nga ana e një politikaneje të SVP /UDC-së. Por, u krye. «Iu kemi përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe kemi qëndruar të sjellshëm, edhe kur ato ishin provokuese dhe nën nivel», dëgjohet nga të tre. «E kemi arritur qëllimin tonë, për t’u shpjeguar anëtarëve të komisionit përparësitë e Iniciativës për Demokraci për Zvicrën », thotë Arbër Bullakaj. Në kafenenë pranë Shtëpisë së Federatës shijuam nga një ëmbëlsirë dhe kafe, duke biseduar dhe menduar se si do të vendos komisioni. Ndonëse ishte e qartë se parlamentarët borgjezë të qendrës së djathtë do të ishin më tepër negativë. Megjithëse ishte e qartë se parlamentarët borgjezë të qendrës së djathtë do të ishin më tepër negativë. Dhe kështu, rezultati nuk ishte befasi. Edhe pse më shumë se një e katërta e popullsisë nuk ka pasaportë zvicerane – duke përfshirë shumë njerëz që kanë lindur këtu, punojnë këtu, paguajnë taksa dhe mbeten pa të drejtë vendimmarrjeje – komisioni, ashtu si Këshilli Federal, nuk dëshiron të dijë asgjë për iniciativën. Ajo e refuzon iniciativën me 17 vota kundër dhe 8 pro.

Si e arsyeton shumica e komisionit këtë linjë të ashpër?

Shumica e komisionit ka frikë se pranimi i iniciativës do të rrezikonte „integrimin e qëndrueshëm“, „pranimin e të drejtës së qytetarisë“ dhe „pasojat institucionale për federalizmin“. Megjithatë, një pakicë e komisionit e mbështet Iniciativën për Demokraci, sepse rregullat e unifikuara në nivel shtetërorë do të rrisnin transparencën, do të përmirësonin barazinë e shanseve dhe do të lehtësonin qasjen në të drejtat politike.

Një rreze e vogël shprese

Falë angazhimit të Arbërit, Nadimit dhe Agnese-s në Parlament, ka edhe një rreze shprese: «Komisioni megjithatë sheh nevojë për veprim në fushën e natyralizimit, veçanërisht sa u përket afateve të vendbanimit.» Përmes një iniciative parlamentare, ajo kërkon që afatet e qëndrimit në komunë të caktohen në nivel federal në 2 deri 3 vjet, për të marrë parasysh lëvizshmërinë në rritje të popullsisë. Kjo është një nismë inkurajuese, edhe pse jo një revolucion.

Radhën e ka tash Parlamenti

Tani topi i mbetet Parlamentit, që të sigurojë federalizëm pa arbitraritet në të drejtën e shtetësisë. Me vendimin e komisionit, Iniciativa për Demokraci pritet të dalë në Këshillin Kombëtar që në mars dhe ndoshta në nëntor në votim popullor.
Për Agnese Zucca-n është e qartë: «Që zëri i mbështetësve të dëgjohet qartë dhe fort në Parlament e më pas në votime, lëvizja duhet të rritet edhe më tej.» Ajo u bën thirrje të gjithë njerëzve që mbështesin iniciativën të nënshkruajnë thirrjen «Për natyralizim të drejtë pa arbitraritet» dhe ta shpërndajnë atë me zell.

Këtu mund të nënshkuarni apelin: Demokratie Volksinitiative (DE), Startseite - Democratie Initiative /FR), Startseite - Democrazia Iniziativa (IT)

Autori është anëtarë i Shoqatës “Aktion Vierviertel” dhe i komitetit të nismës