Punë
Kontratë e re Kolektive e Punës për bojaxhinjtë dhe suvatuesit

Kujdes: e sapo ngjyrosur

- Hilmi Gashi

Nga prilli i vitit 2026, një Kontratë Kolektive e re e Punës KKP do të rregullojë kushtet e punës në sektorin e bojaxhinjve dhe suvatuesve (moler dhe gipser). Shoqata e punëdhënësve SMGV si dhe anëtarët e sindikatave Unia dhe Syna kanë rënë dakord për kontratën e re. Kjo sjell kushte më moderne pune dhe rregulla më të rrepta.

Partnerët socialë vlerësojnë pozitivisht faktin që Kontrata është përmirësuar në aspektin material dhe se kontrollet, si dhe gjobat në rast shkeljesh, do të ashpërsohen ndjeshëm. Me KKP-në e re, koha e papaguar e udhëtimit përgjysmohet dhe puna e së shtunës për bojaxhinjtë dhe suvatuesit bëhet përjashtim, që paguhet me shtesa page. Kohët e udhëtimit tani duhet të regjistrohen në mënyrë të detyrueshme në raportin e kohës së punës. Gjithashtu, gjobat konvencionale për shkeljen e dispozitave të KKP-së do të rriten. Përveç kësaj, kompensimi i drekës do t'i përshtatet shtrenjtimit të jetesës (inflacionit).

Pagat janë shumë të ulëta dhe ka pak pushime

Megjithatë, ka ende nevojë për përmirësim sa i përket pagave, pushimeve dhe nxënësve (shegertëve). Pagat u rritën më 1 prill 2025 me 100 franga (75 franga në mënyrë të përgjithshme dhe 25 franga në mënyrë individuale). Në KKP-në e re parashikohet një kompensim automatik i inflacionit deri në 2 për qind në vit. Por për vitin 2026 nuk do të ketë rritje të përgjithshme dhe as individuale të pagave. Edhe për sa i përket pushimeve, punëdhënësit u treguan të palëkundur: ata nuk pranuan t'u japin bojaxhinjve dhe suvatuesve më shumë se 22 ditët ekzistuese.

Gjithnjë e më shumë ndërprerje të zanatit

Paga minimale e një bojaxhiu të kualifikuar me tre vjet përvojë pune aktualisht është 5051 franga. Për një person pa diplomë zanati, paga minimale është vetëm 4258 franga. Edhe për shegertët (nxënësit) situata nuk përmirësohet. Ata vazhdojnë të mos përfshihen në KKP dhe për këtë arsye nuk marrin pagën e 13-të. Vitin e kaluar, shkalla e ndërprerjes së zanatit u rrit edhe më shumë, te suvatuesit ndërkohë në një nivel rekord prej 47 për qind, dhe shumë vende për nxënës mbeten të paplotësuara. Ky është një tregues, se pagat dhe kushtet e punës duhet përmirësuar, që ky profesion të mbetet tërheqës dhe interesant për gjeneratat e reja. Pa këto përmirësime dega do të ketë probleme të gjej mjaftë profesionist.

Detaje rreth të gjitha Kontratave Kolektive të Punës (GAV/CTT) mund të gjeni në: https://gav-service.ch/