Punë
Punëtorët e ndërtimtarisë kundërshtojnë humbjen e pagave

Bisedimet për paga në ndërtimtarinë kryesore

- Chris Kelley

Pas ndërprerjes së bisedimeve vitin e kaluar sipërmarrësit e ndërtimit edhe sivjet ngecin përsëri tek pagat. Kështu shefat në raundin e parë të fillimit të bisedimeve për paga nuk bënë as edhe një ofertë të vetme. Mirëpo punëtorët e ndërtimtarisë nuk pajtohen. Aksionet e para protestuese tanimë kanë filluar.

 

Artikujt ushqimor, qiratë, arkat shëndetësore: Gjithçka po shtrenjtohet. Në shumë sektorë sindikatat dhe punëdhënësit u morën vesh për rritje të përgjithshme pagash si kompensim të shtrenjtimit. Vetëm në sektorët e mëdhenj jo: në ndërtimtarinë kryesore.  Këtu shoqata e sipërmarrësve të ndërtimit refuzon një rritje pagash dhe në vjeshtën e kaluar ndërpreu bisedimet. Pasojat: Gjysma e punëtorëve të ndërtimtarisë nuk morën asgjë dhe edhe ata, që vullnetarisht nga ndërmarrja e tyre morën një rritje, nuk morën gati thuajse as kompensimin e plotë të shtrenjtimit.  "Rënia e pagave për një nga profesionet më të vështira në Zvicër - këtë nuk e kupton askush", thotë me të drejtë Nico Lutz, i cili në drejtorinë e Unia është përgjegjës për ndërtimtari.

Puna e vështirë duhet të shpaguhet

Sivjet sektori i ndërtimtarisë ka mundësinë, që të korrigjojë këtë padrejtësi. Pasi që bisedimet për vitin e ardhshëm kanë filluar me 3 shtator 2024. Për arsye të ndërprerjes së bisedimeve vitin e kaluar nga ana e sipërmarrësve të ndërtimit, Unia ka hyrë në bisedime me kërkesat dyvjeçare të pagave.   Konkretisht: 250 franga më shumë pagë për të gjithë punëtorët e ndërtimtarisë, për të kompensuar shtrenjtimin e sivjetmë dhe atë të vitit të kaluar. Nëse një ndërmarrje gjatë këtij viti ka rritur vullnetarisht pagat, këtë mund ta përllogarisë në 250 frangat, kështu propozon Unia. Sipërmarrësit e ndërtimit përgjigjen me një fyerje: Në raundin e parë ata as që bënë fare ndonjë ofertë. Me ketë rast një kompensim i plotë i shtrenjtimit do duhej të ishte i vetëkuptueshëm. Para së gjithash në ndërtimtari: Ndërtimtaria po lulëzon dhe në të njëjtën kohë secili murator i dytë po largohet nga sektori. Nëse sektori nuk arrin të bëjë ndryshimin, rrezikon që me 2040 çdo i treti vend pune të jetë i pambuluar.

Ka nisur aksioni i parë i protestës, pasojnë tjerat

Shoqata e sipërmarrësve të ndërtimit përsëri ka treguar, që argumentet e mira atyre nuk u mjaftojnë. Mirëpo punëtorët e ndërtimtarisë kësaj radhe janë përgatitur dhe kanë planifikuar protesta. Aksionet e para vetëm sa kanë filluar. Kështu ata për shembulli në mes të shtatorit pasdite kanë ndërprerë punën në një punishte të madhe.  Mesazhi i tyre i qartë: Respekt për punën tonë - rritje pagash tani! Në javët e ardhshme në pjesë të ndryshme të Zvicrës do të ketë aksione të mëtejme. Në mes të tetorit bisedimet do të vijojnë dhe raundi i paraparë i fundit zhvillohet me 28 tetor.

* Autori është bashkëudhëheqës i sektorit të ndërtimtarisë