Periudhat e vapës ekstreme në verë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Kjo ka ndikim në shëndetin e punëtorëve të ndërtimtarisë. Nga 33 gradë punët duhet të ndërpriten dhe afatet e ndërtimit të zgjaten. Këtë e kërkojnë sindikatat dhe shoqata e sipërmarrësve të ndërtimit bashkërisht.
Punët e rënda trupore gjatë vapës ekstreme dhe në diell flakërues nuk janë vetëm të mundimshme, ato me veti bartin edhe rrezik në rritje për aksidente, sulme nga nxehtësia dhe pasoja tjera shëndetësore.
Sindikatat Unia dhe Syna si dhe shoqata e sipërmarrësve të ndërtimit dëshirojnë të punojnë së bashku për të krijuar kushte të qarta kornizë që sigurojnë që puna të vazhdojë për aq kohë sa mund të sigurohet mbrojtja shëndetësore. Nëse parashikimi i temperaturës është 33 gradë ose më i lartë, punët e rënda në natyrë në zona që nuk kanë hije të përhershme duhet të ndërpriten dhe afatet e ndërtimit në përputhje me rrethanat duhet të zgjaten.
Synimi i partnerëve social është që këto parametra kyçe t'i shndërrojnë në rregullore përgjithësisht të zbatueshme dhe t'i bëjnë të vlefshme. Për këtë qëllim, në një tryezë të rrumbullakët janë ftuar sipërmarrës të ndërtimit, ndërmarrjet e përgjithshme, autoritetet zyrtare dhe Suva. Në një hap të parë të gjithë pjesëmarrësit janë treguar të gatshëm që të bashkëpunojnë për një zgjidhje.
Partnerët sociale janë gjithashtu duke punuar që zgjidhjet t'i parashtrojnë edhe në rrafshin politik. Qëllimi është të përmirësohet kuadri ligjor i kushteve kornizë në mënyrë që respektimi i vazhdueshëm i mbrojtjes shëndetësore të shpërblehet dhe jo të ndëshkohet.