[Translate to Shqip:]
[Translate to Shqip:] Ein Bild von Siroos gemalen zvg
Jeta në Zvicër
Migracion
Sudabeh und Siroos

Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran, Lufta Sindikale në Zvicër

- Emine Sariaslan

Anëtarët e Unia-s, Sudabeh dhe Siroos Kassraian, me origjinë nga Irani, po vazhdojnë luftën e tyre në Zvicër. Sudabeh është 64 vjeç, Siroos është 70 vjeç. Ata kanë dy vajza të rritura: më e vogla punon si mjeke, më e madhja është neuroshkencëtare postdoktorale.

 

Sudabeh dhe Siroos kanë qenë aktivistë të drejtave të njeriut në Iran. Siroos ishte gjithashtu anëtar i një partie të krahut të majtë. Për shkak të aktivitetit të tij politik, ai u arrestua; disa nga miqtë e tij u ekzekutuan. Jeta e Siroos dhe Sudabeh ishte në rrezik, prandaj iu desh të linin atdheun e tyre dhe të vinin në Zvicër. Fillimi i një jete të re në Zvicër paraqiti sfida të rëndësishme për të dy. Sudabeh kujton ato sfida: "Më është dashur të kapërcej shumë pengesa dhe të përballem me shumë gjëra të reja. Më është dashur të mësoj gjuhën, të njihem me shoqërinë zvicerane dhe sistemin shkollor, si dhe të përballem me shumë paragjykime. Kjo më kërkoi shumë energji. Më është dashur durim për të ndërtuar një jetë të re për veten time në Zvicër. Së pari, ndoqa kurse gjermanishte. Pas kësaj, punova në fusha të ndryshme, duke përfshirë punën sie përkthyese, si udhëheqëse grupi në një projekt të Kryqit të Kuq Zviceran dhe si kujdestare në një strehimore për gra. Pas këtyre aktiviteteve të larmishme, vendosa të ndiqja trajnimin në punë sociale."

Diploma ime e mësuesisë nuk njihet

Meqenëse diploma e saj si mësuese nuk njihej në Zvicër, së pari i është dashur të ndjek një kurs përgatitor në Fribourg për të kompensuar diplomën e saj të shkollës së mesme. “Kursi përgatitor kushtonte 4,500 franga. Për ti mbuluar këto shpenzime, na është dashur të kursejmë nga shpenzimet tona të jetesës. Kjo më mundësoi të përfundoja kursin përgatitor. Pasi e përfundova me sukses, arrita të ndiqja Shkollën e Lartë Profesionale për Punë Sociale në Olten. Përmes punës së palodhur, durimit dhe mbështetjes së vlefshme të familjes sime, përfundova trajnimin tim dhe tani punoj si punonjëse sociale. Teza ime u botua madje si libër”, tregon Sudabeh.

Diskriminimi ndikon në jetën e tij profesionale

Siroos vjen nga një familje artistësh. Vëllezërit e motrat e tij janë shkrimtarë, piktorë dhe fotografë. Edhe ai zhvilloi një interes të hershëm për artin. Pasi mbaroi shkollën e mesme, ai kaloi provimin e pranimit në akademinë e arteve me sukses të madh - duke u renditur i dyti. Megjithatë, me rekomandimin e vëllait të tij, ai nuk studioi, por punoi si mësues. Në të njëjtën kohë, ai vazhdoi të pikturonte dhe të shkruante. Meqenëse diploma e tij e mësuesisë nuk njihej në Zvicër, ai donte të ndiqte karrierën e tij artistike dhe u regjistrua në shkollën e artit në Biel. Edhe pse kaloi provimin e pranimit atje, atij iu refuzua pranimi për dy arsye. Ai shpjegon: "Pas provimit të pranimit, u ftova për një intervistë. Atje, më thanë se isha një piktor mjeshtër dhe se shkolla për këtë arsye nuk ishte e përshtatshme për mua. Për më tepër, në moshën 33 vjeç, isha shumë i vjetër sepse studentët e tjerë ishin shumë të rinj. Doja që këto deklarata të ishin me shkrim, por ata refuzuan. Kjo ishte diskriminuese dhe pati një ndikim të rëndësishëm në të ardhmen time profesionale" Më pas ai punoi fillimisht si kamerier, pastaj si punëtor në fabrikën e mishit Meinen AG dhe së fundmi në fabrikën e produkteve të qumështit Emmi. Në të njëjtën kohë, ai vazhdoi të pikturonte - dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe sot. Ai ka pasur ekspozita në disa vende të BE-së. Veprat e tij janë vlerësuar me tre medalje. Ai ka pasur rreth 40 ekspozita në Zvicër. Në maj 2025, ai ekspozoi pikturat e tij në Ostermundigen të Kantonit të Bernës

Sindikata Unia është shumë e rëndësishme

Për Sudabeh dhe Siroos, sindikata Unia është shumë e rëndësishme- veçanërisht për të drejtat e punëtorëve dhe migrantëve. Kjo është arsyeja pse ata iu bashkuan Unia-s. Ata janë aktivë në sindikatë, anëtarë të grupit të interesit të migracionit dhe marrin pjesë në aktivitete të shumta. Siroos u bë anëtar ndërsa punonte në Meinen AG. Ai e rikujton atë kohë: "Kushtet e punës atje ishin jashtëzakonisht të pasigurta. Nuk kishte pushime të rregullta, orët shtesë nuk paguheshin dhe puna ishte e dëmshme për shëndetin." Sudabeh gjithashtu u bë anëtare e Unia-s me iniciativën e Siroos. Së bashku ata duan të luftojnë kundër padrejtësisë - për të drejtat e njeriut, si dhe për të drejtat e punëtorëve dhe migrantëve. Ata thonë: "Ne duam një jetë më të mirë për të gjithë. Pagat janë të ulëta, ka trajtim të padrejtë dhe ka paragjykime dhe diskriminim të përhapur. Diplomat tona nuk janë njohur dhe aftësitë tona janë reduktuar në aftësi gjuhësore - edhe pse kemi një gamë të gjerë burimesh dhe aftësish. Falë solidaritetit dhe angazhimit në sindikatë, ne mund të sjellim ndryshime. Kjo është arsyeja pse jemi të përfshirë në Unia dhe grupin e interesit të migracionit."

Kundër të gjitha luftërave

Kur zhvilluam intervistën më 15 qershor, Izraeli kishte sulmuar Iranin. I pyeta për mendimin e tyre. Të dy theksuan se janë kundër të gjitha luftërave: "Si Irani ashtu edhe Izraeli shkelin të drejtat e njeriut. Asnjë vend nuk ka të drejtë të sjellë paqe ose të ndryshojë regjimin në një vend tjetër përmes luftës. Izraeli vret fëmijë në Gaza dhe në të njëjtën kohë dëshiron të sjellë demokraci në Iran - kjo është qesharake. Populli iranian do ta ndryshojë regjimin përmes luftës së vet, jo përmes ndërhyrjes imperialiste."