8 Marsi shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Gruas.
Më shumë se një shekull pas fillimit të saj, lufta është ende larg përfundimit. Diskriminimi dhe dhuna ndaj grave vazhdojnë të jenë realitet i përditshëm, edhe në botën e punës.
Në Zvicër, gratë fitojnë mesatarisht 17,5% më pak se burrat (Raporti i Unia-s 2025 mbi pagat e grave). Pothuajse dy në tre gra dhe çdo i dyti burrë përjetojnë sjellje ngacmuese në vendin e punës. Megjithatë, shumica e rasteve mbeten të padukshme: shumica nuk raportohen kurrë te eprorët. Shumë punëdhënës ende nuk i njohin mjaftueshëm detyrimet e tyre ligjore për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet.
Me këtë rast, Unia ka botuar një broshurë në dhjetë gjuhë (shqip, gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht, polonisht, portugalisht, serbokroatisht, spanjisht dhe turqisht). Ajo ofron informacione konkrete dhe këshilla praktike për personat e prekur, dëshmitarët dhe profesionistët. Përveç kësaj, në disa qytete zvicerane u mbajtën tubime në hapësira publike.
POrosit broshurën: Stopp sexuelle Belästigung am Arbeitsplatz
Më 7 mars 2026, Unia organizoi Konferencën e saj të Grave me temë dhunën seksiste dhe ngacmimin seksual. Më shumë se gjysma e punonjësve ballafaqohen me këtë të paktën një herë gjatë jetës së tyre profesionale (Raporti i SECO dhe EBG 2024–2025). Avokatja Valérie Debernardi prezantoi format e ndryshme të ngacmimit dhe rikujtoi të drejtat e punëmarrësve. Pjesëmarrëset formuluan kërkesa të qarta: rregulla e rrepta kundër ngacmimit seksual, procedura të thjeshta raportimi dhe trajnime të rregullta. Unia kërkon gjithashtu forcimin e mbrojtjes ligjore si dhe ratifikimin e Konventës 190 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës ILO-s nga Zvicra.
Në shkurt 2026, Gjykata e Punës në Gjenevë dënoi zinxhirin e ushqimit të shpejtë Five Guys për ngacmim seksual. Një punonjëse e mbështetur nga Unia ishte ekspozuar ndaj sulmeve të përsëritura midis viteve 2018 dhe 2022. Megjithëqë raportimet u përsëritën, punëdhënësi nuk ndërmori asgjë për të mbrojtur punëtoret. Gjykata i dha paditëses një dëmshpërblim prej rreth 20,000 frangash dhe theksoi «lehtësinë» (neglizhencën) e punëdhënësit. Sipas shifrave federale (2024), sektori i gastronomisë është veçanërisht i prekur: më shumë se gjysma e grave raportojnë për ngacmim seksual. Avokatet e paditëses shpresojnë që ky rast të shërbejë si jurisprudencë në të ardhmen. Ky vendim hap rrugën gjyqësore për viktima të tjera, të cilat duhen të mbrohen nga ngacmimi seksual.