Situata e sistemit shëndetësor, që gjendet në një krizë kujdesi, është tejet kritike. Në vitin 2021, nga shumica dërrmuese e popullatës zvicerane, është aprovuar nisma e kujdesit, e nisur nga lidhja profesionale zvicerane e personelit të kujdesit. Aprovimi i nismës kishte shkaktuar pritje të mëdha tek profesionistët e infermierisë dhe popullatës solidarizuese.
Mjerisht, këto pritje u zhgënjyen plotësisht – për shkak të mosveprimit të klasës politike, e cila jo vetëm që nuk arriti të zbatojë kërkesat e nismës deri më sot, por gjithashtu paraqiti një projektligj me vonesë të dënueshme që duket plotësisht i pamjaftueshëm dhe injoron pikat kryesore të nismës. Për këtë arsye, një koalicion i gjerë sindikatash dhe shoqatash profesionale, të bashkuara në Aleancën për Personelin Shëndetësor - përfshirë sindikatën Unia - kanë vendosur të organizojnë një demonstratë të madhe kombëtare katër vjet pas miratimit të iniciativës dhe paralelisht me diskutimet parlamentare mbi zbatimin e saj. Ajo zhvillohet ditën e shtunë, me 22 nëntor nga ora 14:15 në Sheshin Federal në Bernë.
Një demonstrim i hapur që synon të kapërcejë hendekun midis kërkesave të punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe atyre të pacientëve dhe të të gjithë njerëzve që kanë nevojë për kujdes dhe mbështetje. Demonstrata kërkon urgjentisht zbatimin e menjëhershëm të nismës së kujdesit, në veçanti një përmirësim të kushteve të punës, pa të cilat nuk mund të garantohet kujdes me cilësi të lartë, siç e meriton çdo qytetar.Po kështu, kërkohen financim më i mirë dhe më shumë burime publike për të forcuar sistemin tonë shëndetësor - një sistem që luan një rol strategjik dhe thelbësor për shoqërinë në tërësi. Një raport më i drejtë staf-pacient, i ashtuquajturi Ratio, është gjithashtu një kërkesë historike e profesionistëve të infermierisë dhe personelit të kujdesit shëndetësor. Jemi 5 minuta para gjysmë natës! Situata është kritike dhe zhvillimet demografike do t'i përkeqësojnë më tej problemet. Merreni me mend: Nevoja për kujdes afatgjatë deri në vitin 2040 do të rritet me 43%. Kjo është baras me 626 shtëpi të reja për të moshuarit dhe 6 milionë orë pune shtesë për kujdesin ambulator dhe shërbimet mbështetëse. Këto shifra duhet të na bëjnë të ndalemi për të menduar dhe të kërkojnë një pranim të qartë të përgjegjësisë nga udhëheqja politike. Personeli është i mbingarkuar, shumë po largohen nga profesioni, shkalla vjetore e ikjes të stafit është rreth 30%, mijëra pozicione janë të lira - këto janë simptoma të qarta të një krize që po e çon të gjithë sistemin shëndetësor drejt e me kokë në mur.
Të gjithë e dinë se roli i kolegëve me sfond migracioni në sektorin e kujdesit shëndetësor është absolutisht thelbësor - pa ta, spitalet, shtëpitë e pleqve dhe të rehabilitimit, si dhe shërbimet ambulatore, do të duhej të ndërprisnin veprimtarinë.
Ju bëjmë thirrje të mobilizoheni për demonstratën kombëtare më 22 nëntor, e cila duhet t'i dërgojë një sinjal të qartë Qeverisë Federale dhe Parlamentit.Sepse është e dukshme, se cilësia e kujdesit nuk mund të garantohet më dhe se nevojiten veprime të shpejta për të krijuar kushte më të mira për sistemin tonë të kujdesit shëndetësor. Çështja e shëndetit dhe kujdesit na prek të gjithëve ne dhe duhet të bëhet vërtetë një përparësi në agjendën politike të këtij vendi. Prandaj, të gjithë do të jemi në Bernë më 22 nëntor. Së bashku jemi më të fortë.
Enrico Borelli është drejtues i sektorit të kujdesit në Unia