Kontrata e re Kombëtare e Punës (LMV/KKP) për sektorin kryesor të ndërtimit në Zvicër për vitet 2026–2031 është miratuar dhe hyn në fuqi më 1 janar 2026. Sikurse Shoqata Zvicerane e Ndërtuesve (SBV), ashtu edhe sindikatat Unia dhe Syna kanë dhënë pëlqimin e tyre. Pa një marrëveshje, në fund të vitit 2025 do të mbretëronte një situatë pa kontratë, gjë që sipas sindikatave do të sillte rrezik për ulje pagash dhe probleme të tjera.
Negociatat zgjatën për disa muaj dhe dhjetë raunde, të shoqëruara nga presioni i punëtorëve të ndërtimit dhe sindikatave. Me demonstrata dhe aksione nëpër vendet e punës në mbarë vendin nga punëtorët e ndërtimit, të cilët kërkonin ndër të tjera kushte më të mira pune, paga më të larta dhe pagesë të kohës së udhëtimit.
Presioni i punëtorëve të ndërtimit në rrugë dhe në kantier ka qenë vendimtarë që në marrëveshjen e re kolektive të punës të përfshihen përmirësime të dukshme. Tema si rregullimi më i mirë i kohës së punës, marrja parasysh e kohës së udhëtimit, rritjet e pagave me kompensim të shtrenjtimit të jetesës, si dhe më shumë planifikim dhe drejtësi në jetën e përditshme të punës, nuk do të ishin arritur në këtë masë pa protestat kolektive. Demonstratat treguan se angazhimi kolektiv jep rezultate: kërkesat e punëtorëve u morën seriozisht dhe u reflektuan në negociata. Kontrata e re kolektive e punës është rrjedhimisht edhe një sukses i solidaritetit dhe angazhimit të punëtorëve të ndërtimit.
Kontrata përfshin një pako pagash që parashikon rritje të pagave prej disa përqindjesh gjatë gjashtë viteve dhe një mbrojtje kundër shtrenjtimit të jetesës. Në rast të një norme inflacioni prej dy përqind ose më shumë, do të hapen negociata të reja për pagat. Në fund të çdo viti, punëtorët e ndërtimit mund të disponojnë vetë të paktën gjysmën e orëve shtesë të punuara. Ata mund të zgjedhin, që këto orë t’u paguhen me një shtesë, t’i transferojnë në vitin e ardhshëm, ose t’i kalojnë në një llogari pushimesh afatgjata, nga e cila mund të marrin pushime më vonë.
Përveç dietave ekzistuese, futet një shtesë e re kantieri, e cila do të paguhet çdo ditë pune dhe do të rritet çdo vit. Kjo shtesë shërben si kompensim për pushimet dhe si një shpërblim i përgjithshëm për një pjesë të kohës së udhëtimit. Nga viti 2026shtesa e kantierit do të jetë 4 franga në ditë. Nga viti 2027, 6.50 franga në ditë dhe nga viti 2028 9 franga në ditë
Nga 1 janari 2027 do të hyjë në fuqi një planifikim i ri i orarit të punës. Parashihet që koha e udhëtimit drejt kantierit, nën kushte të caktuara, të llogaritet si orë shtesë, gjë që për shumë punëtorë do të sjellë përmirësim të kompensimit për kohën e punës.