Qasja në pasaportën zvicerane nuk guxon të jetë çështje portofoli: Rruga drejt pasaportës zvicerane, viteve të fundit është bërë më restriktive dhe më përzgjedhëse. Kush sjell shumë para, shpesh e ka më të lehtë. Përkundrazi, njerëzit që kanë vetëm një arsim bazë, fitojnë pak dhe punojnë në punë të vështira dhe të pasigurta, hasin në pengesa të mëdha. Sindikata Unia mbështet një të drejtë për natyralizim në rast të qëndrimit të përhershëm në Zvicër dhe bazuar në kritere objektive. Refuzimi i sotëm i Këshillit Kombëtar (Parlamentit) është një mundësi e humbur. Këshilli i Kantoneve tani ka mundësinë ta korrigjojë këtë.
Kush jeton dhe punon përgjithmonë në Zvicër, duhet të ketë të drejtën e natyralizimit. Me këtë duhet t'i jepet fund regjimit të sotëm arbitrar, ashtu siç kërkon Iniciativa për Demokraci. Sot, rreth 2.5 milionë njerëz që punojnë dhe banojnë këtu nuk kanë pasaportë zvicerane. Kjo përbën më shumë se 27 për qind të popullsisë, me tendencë rritjeje.
Fakti që një pjesë gjithnjë e më e madhe e popullsisë rezidente në Zvicër nuk ka shtetësi zvicerane është pasojë e ligjit restriktiv të natyralizimit. Rishikimi i fundit i vitit 2018 shkurtoi periudhën e detyrueshme të qëndrimit nga dymbëdhjetë në dhjetë vjet, por në të njëjtën kohë rriti pengesat. Kështu, leja e qëndrimit C është bërë e detyrueshme dhe kërkesat gjuhësore janë ashpërsuar aq shumë në praktikë, saqë shumë emigrantë pa arsim të lartë dhe universitar faktikisht nuk kanë më asnjë shans për natyralizim. Kush nuk ka arsim të lartë shkollor dhe kryen punë dore, për shembull në ndërtim ose në pastrim, vështirë se mund t'i plotësojë më kërkesat formale gjithnjë e më të larta. Edhe testet groteske të natyralizimit, janë penguese, fyese dhe arbitrare.
Unia mbështet Iniciativën për Demokraci, pasi ajo kërkon kritere objektive, të vlefshme për të gjithë si dhe një të drejtë ligjore për natyralizim pas pesë vitesh qëndrimi. Sot Zvicra ka një mangësi të madhe demokratike, i cili prek veçanërisht migrantët punëtorë, të cilët kontribuojnë në ekonominë dhe shoqërinë zvicerane, por nuk kanë të drejta politike. Kështu, një pjesë e madhe e popullsisë aktive në punë është e përjashtuar nga procesi i vendimmarrjes politike.
Unia mbështet kërkesën për t'i dhënë fund praktikave të sotme shumë të ndryshme kantonale dhe komunale. Qëllimi është një sistem natyralizimi i drejtë, transparent dhe pa diskriminim për të gjithë, pavarësisht vendbanimit dhe të ardhurave. Unia kërkon heqjen e tarifave të natyralizimit, të cilat sot janë jashtëzakonisht të larta varësisht nga kantoni. Pas "Jo"-së së Këshillit Kombëtar ndaj Iniciativës për Demokraci, Këshilli i Kantoneve është i ftuar të zëvendësojë arbitraritetin dhe pasigurinë me kritere të drejta dhe të demokratizojë të drejtën e qytetarisë.