Rrjeti Këshillues për Viktimat e Racizmit ka dokumentuar dhe vlerësuar gjithsej 1211 raste të diskriminimit racist gjatë vitit 2024. Këtë vit numri i rasteve është rritur për 335 raste apo gati 40 përqind më shumë se vitin 2023. Shumica e rasteve ndodhën në fushën e arsimit, në vendin e punës dhe në hapësirat publike. Më së shpeshti, ato kishin të bënin me armiqësi ndaj të huajve dhe racizëm ndaj njerëzve me ngjyrë. Gjithashtu u vu re një rritje e ndjeshme e rasteve të racizmit kundër myslimanëve ndërsa antisemitizmi (armiqësia ndaj çifutëve) mbeti në një nivel vazhdimisht të lartë.
Numri i rasteve të raportuara në rrjetin këshillues është në rritje të vazhdueshme, por rritja prej gati 40% në vitin 2024 është veçanërisht e dukshme. Kjo rritje është rezultat i ndërveprimit të disa faktorëve. Nga njëra anë, polarizimi i diskursit publik dhe ngjarjet gjeopolitike luajnë një rol. Nga ana tjetër, rritja e vazhdueshme lidhet edhe me faktin që shërbimet e këshillimoreve janë bërë më të njohura dhe personat e prekur kërkojnë ndihmë më shpejt në rastet kur janë të përballur me diskriminim të formave të ndryshme.
Nga fusha e arsimit – veçanërisht nga shkolla e obligueshme– edhe këtë vit u raportuan më së shumti raste (gjithsej 19% e të gjitha rasteve). Për shembull, një nënë raportoi se djali i saj ishte përjashtuar nga klasa, dhe në shkollë ishin shpalosur simbole të së djathtës ekstreme dhe simbole të përshëndetjes naziste. Me ndihmën e qendrës këshilluese, mësuesit dhe punonjësit socialë të shkollës reaguan dhe morën masa konkrete. Pjesëmarrja e fëmijëve dhe të rinjve në shkollë është një tregues i qartë se nevojitet më shumë punë ndërgjegjësuese për nxënësit, si dhe trajnime të vazhdueshme dhe masa parandaluese e ndërhyrëse për mësuesit. Shkolla duhet të jetë një vend i sigurt për të gjithë.
Motivet më të shpeshta të diskriminimit mbeten ksenofobia (armiqësia ndaj të huajve) me 426 raportime (35% e të gjitha rasteve) dhe racizmi ndaj njerëzve me ngjyrë me 368 raportime (30% e rasteve). Ksenofobia u raportua më së shumti në lidhje me vendin e punës, ndërsa rastet e racizmit ndaj njerëzve me ngjyrë ndodhën më së shumti në shkollën e detyrueshme. Racizmi antimusliman pati rritjen më të madhe krahasuar me vitin e kaluar, me 209 raste, që përbëjnë 17% të rasteve totale. Antisemitizmi mbeti në një nivel të lartë me 66 raste.
Përjetimet e racizmit shkaktojnë shumë vuajtje tek të prekurit dhe në rastin më të keq mund të kenë pasoja të rënda shëndetësore. Ato gjithashtu çojnë në humbje të besimit ndaj institucioneve dhe bashkëqytetarëve. Racizmi përbën kështu një rrezik për kohezionin shoqëror dhe duhet të njihet dhe luftohet nga e gjithë shoqëria. Raste të racizmit duhet të merren seriozisht dhe të analizohen, në mënyrë që të zhvillohen dhe zbatohen masa për të gjitha institucionet dhe fushat e jetës.
Raporti mund të shkarkohet dhe porositet në gjuhën gjermane, frënge dhe italiane në: www.network-racism.ch ose në: Rrjeti Këshillues për Viktimat e Racizmit, Tel. 031 302 01 61, beratungsnetz@humanrights.ch.