Më shumë se 50 anëtarë të rinj të sindikatës Unia diskutuan rezultatet e anketës së nxënësve dhe sfidat me të cilat përballen profesionistët e rinj në konferencën rinore në Belinzona (TI) në fillim të qershorit. Me një fushatë antifashiste ata e bëjnë të qartë: Unia qëndron për tolerancën dhe solidaritetin.
Vjeshtën e kaluar, Unia ka nisur një anketë mes shegertëve të profesioneve të ndryshme dhe ku ata kishin mundësinë t'u përgjigjeshin pyetjeve në lidhje me cilësinë e trajnimit në profesion, orët e punës, pagat, shëndetin dhe përvojat me diskriminimin. Anketa u prit me interes të madh në mesin e nxënësve: 1100 pjesëmarrës iu përgjigjën pyetjeve. Në konferencën e të rinjve, pjesëmarrësit diskutuan rezultatet e anketës dhe diskutuan strategjitë për përmirësimin e situatës së të rinjve dhe nxënësve.
Anketa e Sindikatës Unia tregon se nxënësit (shegertët) në Zvicër vuajnë nga stresi dhe rraskapitja e konsiderueshme, gjë që e vë në rrezik shëndetin e tyre mendor dhe fizik. Stresi ndikon jo vetëm në mjedisin e punës, por edhe në jetën personale, duke çuar në depresion, ankth dhe rraskapitje fizike dhe emocionale (burn out) . Pos tyre, rritet edhe rreziku i fatkeqësive në vendin e punës.
Përgjigjet e shegertëve janë shumë alarmante. Ata flasin për racizëm, presion të madh dhe bullizëm. Një nxënës e përshkruan kështu: "Komentet raciste janë pjesë e përditshmërisë. Njeriu mund t'i injoroj ato në një moment, por ato të lodhin mendërisht." Një përgjigje tjetër nga sondazhi është: “Ne jemi të detyruar të bëjmë punë që nuk kanë të bëjnë fare me trajnimin tonë profesional, gjë që na e humb motivimin”.
Për SIndikatën Unia këto deklarata janë alarmante. "Nxënësit duhet të mbrohen më mirë, ne të gjithë biem dakord për këtë. Nevojiten më shumë pushime dhe kohë të lirë, mbrojtje kundër diskriminimit dhe bullizmit dhe kontroll më të përqendruara nëpër ndërmarrje, ku shegertët mësojnë profesionin” theksoi Félicia Fasel, sekretarja rinore e sindikatës Unia
Në një aksion spektakolar, të rinjtë sindikalistë dekoruan me një pankartë Castel Grande, kështjellën e madhe në Bellinzona. Duke vepruar kështu, ata pozicionohen në mënyrë luftarake kundër urrejtjes dhe dhunës, për tolerancë dhe solidaritet: në Zvicër dhe ndërkombëtarisht. Këto janë vlerat e Unia: Së bashku jemi të fortë!