Dy ditë me diskutime dhe shkëmbime thelbësore dhe kritike në rreth 25 punëtori. Foto: Hilmi Gashi
Jeta në Zvicër
Migracion
Politikë
Kongresi i lëvizjes së azilit dhe migracionit

Rivendosja e lëvizshmërisë, lirisë, të drejtave

- Hilmi Gashi

Më 28 dhe 29 nëntor 2025, në qendrën kulturore PROGR në Bernë, u zhvillua një kongres dy-ditor i lëvizjes së azilit dhe migracionit. Me 24 punëtori, disa seanca plenare, një "Kafe Botërore" të madhe dhe një program filmash shoqërues, manifestimi mbuloi të gjithë spektrin e politikave të azilit dhe migracionit në Zvicër. Kongresi u organizua nga Solidarité sans frontières, një shoqatë që për dekada të tëra ka bërë fushatë për të drejtat themelore të të gjithë njerëzve në Zvicër.

Kongresi synonte aktivistët dhe vullnetarët, kolektivet politike dhe organizatat bazë, grupet e vetëorganizuara të migrantëve dhe profesionistët ligjorë. Qëllimi i kongresit ishte t’i jepte shtytje lëvizjes zvicerane për të drejtën e azilit dhe migracionit. Aktivistet e aktivistët morën kohë për të reflektuar mbi punën e tyre politike dhe për të mësuar nga njëri-tjetri. «Ne kemi krijuar një hapësirë ​​për të shkëmbyer ide, për t'u rrjetëzuar dhe për të zhvilluar strategji të fuqishme për të ardhmen», thotë Simon Noori, sekretar politik në Solidarité sans frontières

Infrastruktura e solidaritetit

Diskutimet e shumta në punëtori, në panele dhe me njëri-tjetrin demonstruan në mënyrë mbresëlënëse se si një lëvizje e fortë dhe e larmishme e shumë njerëzve me origjinë, moshë dhe prejardhje profesionale të ndryshme organizon infrastrukturën e solidaritetit kundër kontrollit të migracionit dhe strukturave raciste të përditshme të pasigurisë dhe dhunës, shpesh të padukshme, në përditshmëri. Mbresëlënëse janë edhe format e ndryshme të rezistencës përmes fuqizimit të vet të prekurve dhe bashkëqytetarët e tyre në solidaritet, të cilët angazhohen kundër profilizimit racor, për të drejtën e qëndrimit dhe për pjesëmarrje të barabartë në demokraci.^Sophie Guignard, sekretare politike, në deklaratën e saj përmbyllëse thotë: “Kufijtë si një marrëdhënie pushteti dhe instrument dominimi, një vazhdimësi dhune, simbolike, psikologjike dhe ndonjëherë vdekjeprurëse.” Kufijtë vrasin, poshtërojnë dhe izolojnë.

Një kongres që jep kurajo dhe guxim

Një fjalë, që në kongres dëgjohej shpesh ishte gjithashtu fjala guxim. Për disa guximi do të thotë, të mos kesh më frikë. Fjala është për mosbindje civile, por edhe të mësuarit për të sfiduar frikën. Për të sfiduar retorikën e djathtë ekstreme. Dhe shumë shprehen me plot shpresë. Kreativiteti, rezistenca, guximi janë të rëndësishme. Mos humbja e shpresës gjithashtu. Veçanërisht e rëndësishme është shpresa në shoqërinë civile. “Ne mund të përdorim instrumentet e politikës institucionale, por nuk duhet ta lejojmë atë të na diktojë se çfarë duhet të bëjmë, as të presim që ajo të na tregojë rrugën. Ne duhet të tregojmë, çka është e nevojshme. Ne duhet të kërkojmë liri lëvizjeje dhe të drejta të barabarta për të gjithë», përfundon Sophie Guignard. Për këtë, ne duhet të vazhdojmë, të ndërmarrim veprime, secili në mënyrën e vet, me mundësitë e veta. Dhe lëvizja ka nevojë për takime të tilla, për t'u shkëmbyer, për t'u rrjetëzuar dhe për të fuqizuar njëri-tjetrin.