Solidaritet i madh: Unia dhe Campax e kanë dorëzuar peticionin në Zyrën e Migracionit në Solothurn. E pranishme ishte edhe Rojda Aslan (në qendër të rreshtit të parë).(Foto: Matthias Luggen)
Migracion
Politikë
Është dorëzuar peticioni me 10655 nënshkrime

Rojda dhe vajza e saj duhet të qëndrojnë!

- Marek Wieruszewski

Më 3 prill 2025, anëtarët e përkushtuar të sindikatës Unia dhe lëvizjes qytetare Campax paraqitën një peticion me 10,665 nënshkrime pranë Zyrës së Migracionit në Solothurn. Ata kërkojnë që Rojda dhe vajza e saj 11-vjeçare të lejohen të qëndrojnë në Zvicër. Për të mirën e fëmijës dhe nënës së saj, duhet të hiqet dorë nga dëbimi i tyre.

Mbështetje e fortë

Mbështetja për Rojda (38) e cila punon në hoteleri dhe vajzës së saj është e madhe. Mijëra njerëz kanë nënshkruar një peticion duke bërë thirrje që Zyra e Migracionit në Solothurn dhe drejtoresha e saj, Johanna Schwegler, t'u japin atyre të drejtën e qëndrimit. Në dorëzimin e sotëm të peticionit ishte e pranishme edhe vetë Rojda – së bashku me anëtarët e Unia-s dhe përfaqësues të Campax, të cilët ia dorëzuan nënshkrimet Zyrës së Qeverisë Kantonale.

Një problem strukturor

Eksperti i migracionit nga Unia, Hilmi Gashi dhe drejtorja menaxhuese e Campax, Itziar Marañón gjithashtu folën në këtë ngjarje. Të dy e bënë të qartë se rasti i Rojdës nuk ishte një incident i izoluar, por një shembull i diskriminimit sistematik ndaj migrantëve. Itziar Marañón tha se u prek thellë kur lexoi historinë e Rojdës. “Rojda dhe vajza e saj duhet të lejohen të qëndrojnë në Zvicër”, theksoi ajo. Për ta, e drejta për të qëndruar është një e drejtë njerëzore që kontribuon në bashkëjetesën paqësore dhe një demokraci të shëndetshme.

Ndihma sociale si problem

Hilmi Gashi shtroi pyetjen: “Si mundet që pranimi i ndihmës sociale të jetë fatkeqësi për njerëzit – në një vend kaq të pasur si Zvicra?” Ai shpjegoi: Që nga ndryshimi i ligjit për të huajt në vitin 2019, marrja e ndihmës sociale është parë si një shenjë e mungesës së integrimit. Kjo prek jo vetëm njerëzit e sapoardhur, por edhe ata që kanë jetuar këtu për një kohë të gjatë apo edhe gjithë jetën e tyre.

Fëmija është gjithashtu i prekur

Ajo që është veçanërisht tragjike në këtë rast është se vajza e Rojdës, e cila ka lindur dhe është rritur në Zvicër, gjithashtu kërcënohet nga dëbimi. Kjo shkelë Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve. Autoritetet zvicerane janë të detyruara të mbrojnë interesat e fëmijëve. Ne do të vazhdojmë të ndjekim dhe raportojmë për historinë e Rojdës dhe vajzës së saj. (Verzion i redaktuar për Horizonte. Teksti origjinal është botuar në Workzeitung dhe L'événement syndical)