Kufijtë ndajnë, njerëzimi bashkon!
Jeta në Zvicër
Pa ne nuk ka Zvicër

Të drejtat e punonjësve në rrezik

- Hilmi Gashi

Iniciativa “ Zvicra 10 milionëshe” është radikale, demagogjike dhe thellësisht armiqësore ndaj të huajve. Ajo sulmon në mënyre frontale të drejtat e njerëzve të cilët jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Sindikata Unia lufton për të drejtat e punonjësve pavarësisht pasaportës dhe origjinës dhe do të luftojë me vendosmëri iniciativën e nisur nga partia e djathtë konservatore SVP/UDC.

Iniciativa e përmendur synon të ndajë punonjësit dhe të cenojë të drejtat e tyre. Nisma " Zvicër 10 milionëshe" kërkon që popullsia rezidente e përhershme e Zvicrës nuk duhet të kalojë dhjetë milionë banorë deri në vitin 2050. Kjo iniciativë funksionon me shifra arbitrare duke krijuar ndasi dhe paragjykime. Për këtë arsye është e ngjashme me nismën po aq radikale e ksenofobe të vitit 1970 nga deputeti i atëhershëm nacional nga partia e djathtë ekstreme "Aksioni Nacional" James Schwarzenbach.

E drejta për familje është e panegociueshme

Sipas iniciativës, nëse popullsia rezidente arrin në 9.5 milionë, autoritetet do të duhet të marrin masa drastike, si kufizimi i bashkimit familjar ose heqja e të drejtës së qëndrimit për ata që janë pranuar përkohësisht. Në ketë kategori bien njerëzit të cilët kanë kërkuar strehim, sepse në vendet e tyre kushtet për kthim nuk janë të sigurta. Por e drejta për familje është e panegociueshme. Kufizime të tilla shkelin Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, traktatet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe praktikën gjyqësore në fuqi.

Sulm frontal ndaj lëvizjes së lirë të njerëzve

Nëse popullsia rezidente do të kalonte dhjetë milionë, kjo do të kishte pasoja drastike: brenda dy viteve, lëvizja e lirë e njerëzve do të përfundonte automatikisht sepse do të ndërpritej marrëveshja përkatëse me BE-në. Mbi të gjitha, kjo do të kufizonte për së tepërmi të drejtat e punonjësve pa pasaportë zvicerane. Ekonomia zvicerane varet urgjentisht nag fuqia punëtore e cila vjen nga ajshtë. Shumë industri, të tilla si kujdesi shëndetësor, ndërtimi, gastronomia dhe profesione të shumta industriale, tregtare dhe të orientuara nga shërbimi, varen nga ta.

Ekziston rreziku që punonjësit të privohen nga e drejta

Nisma është armiqësore ndaj të huajve dhe funksionon me imazhe demagogjike. Dhe pasojat janë të rënda: njerëzit pa pasaportë zvicerane do të privoheshin nga të drejtat, dhe grupe të ndryshme punonjësish do të shtyheshin në një luftë kundër njëri tjetrit. Kjo do të nxiste dumpingun e pagave dhe sociale dhe do të përkeqësonte kushtet e punës për të gjithë. Pasojat e marrëdhënieve të parregulluara me BE-në do të ishin gjithashtu shkatërruese për Zvicrën, siç e ka treguar qartë rasti i Britanisë së Madhe me rastin e BREXIT (daljen nga BE).

Investime dhe ndarje më e drejtë e të arriturave shoqërore dhe ekonomike në vend të përjashtimit

Zvicra padyshim përballet me sfida reale, si te sigurimet shoqërore, shpërndarja e pasurisë dhe tregu i banesave i tensionuar. Prandaj nevojiten urgjentisht masa të tilla si paga më të mira, sigurime sociale, qira të përballueshme dhe investime në infrastrukturë. Sindikata Unia bën thirrje për zgjidhje efektive dhe të qëndrueshme në këto fusha.

Më shumë në vend të më pak të drejtave: zvogëlimi dhe mënjanimi i pengesave për natyralizimin

Kthimi në politikën e kuotave sulmon dhe e rrezikon lëvizjen e lirë të njerëzve me BE-në. Lëvizja e lirë e njerëzve është një arritje qendrore, pasi do të thotë se lëvizshmëria ndërkufitare nuk është një privilegj për të pasurit, por është e drejtë për të gjithë njerëzit. Ashtu si qasja në pasaportën zvicerane tashmë është bërë një çështje klasore, nisma do ta bënte qasjen në tregun e punës më selektive. Kjo do të ndante punonjësit dhe do t'i privonte ata nga e drejta. Kjo e bën edhe më urgjente uljen e shpejtë të pengesave për natyralizim, siç kërkohet nga Iniciativa për Demokraci e deponuar më 21 nëntor 2024 pranë zyrës federale.

"Pa ne, nuk ka Zvicër"

Unia mbron vazhdimisht të drejtat e punonjësve – pavarësisht nga pasaporta apo origjina. Sindikata vendos përballë një "Jo pa ne!" për politikën e përjashtimit të iniciativës. Unia do ta luftojë me vendosmëri këtë projekt radikal dhe demagogjik.