Më 8 mars votojmë për iniciativën për Fondin e Klimës. Ideja është e qartë: Zvicra duhet të investojë çdo vit rreth 4 deri në 8 miliardë franga për mbrojtjen e klimës. Këto para do të investohen drejtpërdrejtë në projekte brenda Zvicrës, për ta bërë furnizimin tonë me energji të sigurt dhe bashkëkohore.
Synimi është caktuar tashmë me ligj: Deri në vitin 2050, Zvicra duhet të bëhet neutrale ndaj klimës. Me fjalë tjera: dëmet për klimën duhet të ulen dhe furnizimi me energji të mos dëmtoj më atmosferën. Kjo është një detyrë e madhe, por na ofron të gjithëve një mundësi gjigante. Një politikë e mirë klimatike forcon ekonominë vendase dhe krijon shumë vende të reja pune në sektorë që kanë të ardhme. Duke qenë se mjetet e deritanishme nuk mjaftojnë, na nevojitet ky fond për ta realizuar ndryshimin shpejt dhe në përmasat e duhura.
Është e rëndësishme të kuptojmë se pritja, në fund do të na kushtojë shumë më shtrenjtë se veprimi i shpejtë. Dëmet nga kriza klimatike na kushtojnë shumë që sot. Gjeneratat e kaluara hodhën themelet për mirëqenien e Zvicrës me ndërtimin e hekurudhave dhe hidrocentraleve. Sot ne duhet ta vazhdojmë këtë histori duke zgjeruar në përmasa më të mëdha investime në energjinë diellore dhe atë të erës, duke zëvendësuar aparatet për ngrohje, të cilat punojnë me naftë dhe mazu, dhe duke modernizuar industrinë. Jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë ne: Iniciativa parashikon një ofensivë të madhe në arsim dhe aftësim të punonjësve dhe ekspertve. Na nevojiten shumë profesionistë të rinj për t'i ndërtuar dhe mirëmbajtur këto impiante. Prandaj, fondi do të financojë shkollimet dhe kualifikimet profesionale, madje do të ndihmojë edhe me kostot e jetesës gjatë kohës së shkollimit. Kështu sigurohemi që askush të mos mbetet pas dhe të ruhet bashkëjetesa shoqërore.
Se ka mjaftueshëm para për investime të tilla, e tregon një shembull aktual nga ekonomia: Firma të mëdha zvicerane i kanë premtuar “administratës Trump”, në kuadër të një marrëveshjeje tregtare, se do të investojnë rreth 160 miliardë franga në SHBA gjatë viteve të ardhshme. Me po këtë shumë, Fondi i Klimës në Zvicër do të mund të financohej për plot 40 vjet. Pra, është çështje vendimi se ku investohen paratë. Me një "PO" për Fondin e Klimës, ne investojmë në infrastrukturën tonë, në rinovimin e ndërtesave dhe në arsim. Ne sigurojmë vende të mira pune dhe një mjedis të shëndetshëm për ne dhe fëmijët tanë.
Prandaj, më 8 mars, votoni me një "PO" të fortë sindikale për iniciativën për Fondin e Klimës.