Politikë
Referendumi për pagat minimale

Të ndalojmë uljen e pagave!

- Marek Wieruszewski

Sapo u fitua lufta kundër iniciativës së kaosit, duhet të mbrohemi menjëherë nga një sulm i ri ndaj pagave. Parlamenti ka vendosur që pagat minimale të përcaktuara në kontratat kolektive të punës në nivel kombëtar ose mbarësektorial të kenë përparësi ndaj pagave minimale kantonale ose atyre lokale, edhe nëse ato janë më të ulëta. Në këtë mënyrë, pagat minimale të përcaktuara në nivel rajonal, të cilat u votuan nga popullsia, do të zhvlerësoheshin. Me këtë edhe pagat do të ulen.

Parlamenti federal vë në dyshim vendimet e popullit

Në nivel federal ende nuk ka një pagë minimale ligjore. Megjithatë, disa kantone kanë arritur, nëpërmjet votimeve, të fusin në fuqi pagat minimale, duke përfshirë Gjenevën, Neuchâtel-in, Jura-n dhe Qyteti i Bazeli (Basel-Stadt). Këto paga minimale kantonale u vendosën kryesisht përmes votimeve popullore. Ligji i ri mund t'i zhvlerësojë këto arritje rajonale nëse në një Kontratë Kolektive të Punës caktohet një pagë minimale më e ulët. Për një punonjës pastrimi në kantonin e Gjenevës, ky propozim do të nënkuptonte, për shembull, një humbje vjetore prej 550 frangash.

Sindikatat luftojnë kundër dumpingut të pagave

Prandaj, sindikatat (Unioni sindikal i Zvicrës, Unia dhe Partia Socialdemokratike) kanë iniciuar referendumin kundër vendimit të parlamentit. Ky vendim parashikon që pagat minimale kantonale dhe komunale në të ardhmen të mund të anashkalohen (minohen) përmes kontratave kolektive të punës (GAV/CN) të shpallura si të detyrueshme për të gjithë. Sindikatat e konsiderojnë këtë si një sulm ndaj pagave minimale që garantojnë mbijetesën. «Marrëveshjet e së drejtës private për herë të parë do të kishin përparësi ndaj vendimeve demokratike të popullit», sipas Unionit sindikal të Zvicrës.

Nënshkruani referendumin tani dhe mbroni pagat minimale

Mbledhja e nënshkrimeve për referendumin ka filluar. Nëse referendumi realizohet, votuesit pritet të vendosin për këtë në kuti të votimit. Për këtë duhet të mblidhen 50'000 nënshkrime të vlefshme brenda 100 ditëve. Mbledhja e nënshkrimeve ka filluar më 30 qershor.

A punoni në një hotel apo restorant, në pastrim, në një furrë buke, në një dyqan të pompës së benzinës apo në një parukeri? Nëse në kantonin tuaj është në fuqi një pagë minimale ligjore ose do të prezantohet së shpejti, paga juaj mund të jetë në rrezik. Ne duam të luftojmë kundër kësaj. Kontaktoni Sindikatën Unia ose redaksinë e Horizonte.

Pagat minimale në rrezik – lufto me ne. Këtu i gjen formularët e referendumit:

Në gjuhën gjermane:  Mindestlöhne in Gefahr – kämpfe mit uns

Në gjuhën frënge: Salaires minimums en danger: battez-vous avec nous!

Në gjuhën italiane: I salari minimi sono in pericolo: lotta insieme a noi