Nevoja për kujdes dhe mbështetje po rritet. Në të njëjtën kohë, disa qindra infermierë largohen nga profesioni i tyre çdo muaj. Fajin për këtë e kanë një sërë vendimesh politike që synojnë frenimin e kostove që rrjedhin nga zhvillimet demografike. Nevojitet një mobilizim solidar.
Sipas Entit Federal të Statistikave, deri në vitin 2040 numri i personave mbi 65 vjeç do të rritet me 52% dhe numri i personave mbi 80 pothuajse do të dyfishohet (+88%). Kjo qon në një rritje prej 56% të nevojës për përkujdesje afatgjatë të të moshuarve. Dhe një politikë e pandryshuar e kujdesit do të kërkonte rreth 60% më shumë shtëpi pleqsh. Ky boshllëk është vështirë për t'u mbushur me migrantë. Nga njëra anë, për shkak të regjimit kufizues të emigracionit të Zvicrës, dhe nga ana tjetër, për shkak të rritjes së nevojës për përkujdesje tjetërkah. Në Europë, qysh tani po përpiqen që vendet përreth të mbajnë kujdestarët «e tyre» me masa të synuara. Nëse nuk është i mundur kujdesi përmes mbështetjes profesionale, do të duhet që të afërmit të plotësojnë boshllëkun. Kjo ashpërson mungesën e fuqisë punëtore dhe çon në humbje ekonomike, më shumë pabarazi sociale dhe më shumë pabarazi gjinore për të prekurit.
Duhet të krijohen kushte pune për të mbajtur personelin në këtë sektor dhe për të reduktuar kërkesën për shërbime të kujdesit. Për të mundësuar këtë, duhet të krijohen dhe financohen oferta shtesë si jetesa e asistuar, kujdesi ambulator dhe mbështetja e përditshme Kjo çon në një rritje kostoje dhe në një ndryshim të financimit. Nuk mund të jetë detyrë e të siguruarve që ata ta paguajnë këtë nga xhepi i tyre. Përqindja e rimbursimit publik për shërbimet e kujdesit duhet të zgjerohet shpejt dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Për Enrico Borelli dhe Samuel Burri, përgjegjës të sektorit të kujdesit afatgjatë në Unia, është urgjentisht e nevojshme të ankorohen sindikatat më fort në ndërmarrje dhe të aftësohen kujdestarët që të organizohen për të përfaqësuar interesat e tyre në rrugë dhe në vendet e tyre të punës. Ne kemi nevojë për një lëvizje të fortë që mbështetet paralelisht nga forcat progresive të shoqërisë civile. Vetëm së bashku mund të ndikojmë në debatin politik. Këtë ia kemi borxh shoqërisë sonë, si të moshuarve ashtu edhe brezave të ardhshëm.