Ndërkombëtare
Politikë
Jo luftë të re në Gjirin Persik!

Unia kërkon armëpushim të menjëhershëm dhe mbrojtje të popullatës civile

- Hilmi Gashi (übernommen)

Sindikata Unia shprehet thellësisht e shqetësuar për sulmet masive të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, të cilat bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Përballë sulmeve ajrore shkatërruese dhe sulmeve hakmarrëse iraniane në të gjithë rajonin e Gjirit, sindikata më e madhe e Zvicrës kërkon një deeskalim të menjëhershëm. Lufta nuk guxon të jetë kurrë mjet i politikës – ata që pësojnë, si gjithmonë, janë popullsia punëtore dhe shoqëria civile.

Sulmi ushtarak i SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe përshkallëzimi në gjithë rajonin e Gjirit jo vetëm që kërcënojnë jetën dhe sigurinë e miliona njerëzve, por gjithashtu minojnë shtyllat kryesore të së drejtës ndërkombëtare. Unia i bashkohet lëvizjes ndërkombëtare sindikale dhe u bën thirrje qeverive të të gjitha vendeve, që të mbrojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të angazhohen për një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Ndal dhunës kundër civilëve

Raportet për sulmet mbi infrastrukturën civile, siç është një shkollë në krahinën Hormozgan, janë tronditëse. Është e papranueshme që shkollat, spitalet, hotelet dhe shtëpitë e banimit të bëhen caqe të sulmeve. Unia u bën thirrje të gjitha palëve ndërluftuese që të respektojnë rreptësishtë Konventat e Gjenevës.

Solidaritet me lëvizjen punëtore iraniane

Unia qëndron solidare me sindikatat e pavarura dhe me të gjithë njerëzit në Iran, të cilët prej vitesh angazhohen me guxim për liri, të drejtat e grave dhe drejtësi sociale. Ne dënojmë dhunën e tmerrshme nga regjimi diktatorial i Mullahëve, ashtu siç dënojmë edhe sulmin ushtarak nga SHBA dhe Izraeli, i cili kërcënon t'i varrosë nën rrënoja këto përpjekje të shoqërisë civile. Populli iranian duhet të ketë të drejtën të vendosë për të ardhmen e vet, i lirë nga agresioni i jashtëm dhe shtypja e brendshme.

Kërkesat e Unia-s:

  • Respektimi i së drejtës ndërkombëtare: Zvicra duhet të angazhohet për respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe për promovimin e multilateralizmit (shumëpalës), dialogut dhe paqes. Ky është parakushti bazë për solidaritet dhe drejtësi sociale.
  • Armëpushim i menjëhershëm: Zvicra duhet të përdorë "shërbimet e saj të mira" (gute dienste) për të rikthyer të gjitha palët – veçanërisht SHBA-në, Izraelin dhe Iranin – në tryezën e bisedimeve.
  • Korridor humanitar dhe mbrojtje e popullatës civile: Duhet të garantohet qasja e papenguar për ndihmë mjekësore dhe mallra jetike në zonat e prekura. Zvicra duhet t'i japë prioritetin më të lartë mbrojtjes dhe ndihmës për popullatën civile dhe refugjatët e luftës.
  • Jo eksport armësh për shtetet të kyçura në luftë: Duke pasur parasysh luftën agresore të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, e cila shkel të drejtën ndërkombëtare, duhet të ndalohen eksportet e armatimit zviceran drejt SHBA-së dhe Izraelit, si dhe të ndalohet përdorimi ushtarak i hapësirës ajrore zvicerane nga shtetet ndërluftuese.
  • Mbështetja e shoqërisë civile iraniane: Zvicra duhet të mbështesë lëvizjen për një Iran të lirë dhe demokratik, të dënojë represionin vrasës të regjimit dhe të angazhohet për viktimat e tij.

Paqja është parakushti bazë për punë me dinjitet dhe siguri sociale. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë duarkryq ndërsa e drejta ndërkombëtare shkelet me këmbë dhe Lindja e Mesme zhytet në një zjarr të pakontrollueshëm.