Indeksi i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave (ITUC) për të drejtat e punëtorëve në mbarë botën për vitin 2026 e rëndit Zvicrën përsëri në kategorinë e vlerësimit me notën 3: shkelje të rregullta të të drejtave. Kështu ajo ndodhet pranë vendeve si Belgjika, Polonia apo Kanada. Ky klasifikim vërteton një ecuri që është vërejtur tashmë në vitet e fundit: Pavarësisht stabilitetit ekonomik, Zvicra nuk i garanton plotësisht të drejtat themelore të të punësuarve.
Sipas gjetjeve, veçanërisht të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP), problemi kryesor qëndron te mbrojtja e pamjaftueshme kundër pushimeve (largimeve) nga puna për arsye të anëtarësisë në sindikatë dhe qëndrimeve antisindikale nga ana e punëdhënësve dhe politikës borgjeze. Konventa Nr. 98 mbi të drejtën e organizimit dhe të negociatave kolektive kërkon garanci efektive. Megjithatë, në Zvicër, dëmshpërblimi në rast të pushimit abuziv nga puna është i kufizuar në një maksimum prej gjashtë pagash mujore. Në praktikë ky dëmshpërblim zakonisht është dy deri në tri paga. Organizata ndërkombëtare e punës (NPO/ILO) kërkon shprehimisht dënime parandaluese në shumën e dymbëdhjetë pagave mujore. Këto dobësi ligjore e bëjnë angazhimin sindikal të rrezikshëm dhe zbehin fuqinë e negociatave kolektive.Kjo situatë ndikon që Zvicra të mbetet nën mesataren historike evropiane në fushën e të drejtave të punës. Krahasimi me vendet fqinje është i qartë: Gjermania, e vlerësuar me Notën 1, garanton vazhdimisht një mbrojtje të fortë të të drejtave kolektive dhe individuale. Zvicra, nga ana tjetër, stagnon sepse nuk i mbyll boshllëqet strukturore ligjore. Franca u zbrit në Notën 3 në vitin 2026. ITUC kritikon atje një represion të shtuar ndaj aktivistëve sindikalë, kufizime të së drejtës për të protestuar si dhe praktika të njëanshme gjatë zbatimit të marrëveshjeve.
Në përgjithësi, kjo ecuri është shqetësuese: Rënia e të drejtave në Evropë po zvogëlon diferencën midis Zvicrës dhe vendeve që historikisht kanë qenë të mbrojtura më mirë. Siç thekson ONP, tashmë edhe shtete si SHBA-ja apo Franca po kontribuojnë në një përkeqësim botëror. Ky zhvillim tregon presionin në rritje mbi liritë sindikale dhe në përgjithësi mbi demokracinë në botën e punës. Raporti i vitit 2026 i IndustriALL mbi krizën e të drejtave të punëtorëve në Evropë e konfirmon këtë trend dhe vë në dukje një shkrirje të përgjithshme të standardeve në mbarë kontinentin.Në këtë kontekst, mungesa e përparimit në Zvicër nuk është neutrale: Ajo konfirmon se modeli i lavdëruar i partneritetit social bazohet mbi baza ligjore të pamjaftueshme sapo konfliktet shtohen. Një shembull konkret e qartëson këtë: Nëse një punëtor pushohet nga puna për shkak të aktivitetit sindikal, ai si rregull mund të marrë vetëm një dëmshpërblim financiar të kufizuar – pa pasur të drejtën e rikthimit automatik në vendin e punës. Kjo e zbeh ndjeshëm efektin parandalues për shefat dhe punëdhënësit dhe dobëson organizimin kolektiv nëpër ndërmarrje.
Këto gjetje kërkojnë masa të qarta: mbrojtje më të mirë ndaj pushimeve abuzive nga puna, sanksione realisht parandaluese dhe një modernizim të ligjit të punës për të siguruar në mënyrë efektive lirinë sindikale. Pa përparime konkrete, Zvicra rrezikon të mbetet përgjithmonë në grupin e atyre vendeve ku të drejtat themelore të punëtorëve garantohen vetëm pjesërisht.
Këtu e gjeni raportin në shumë gjuhë: Global Rights Index - International Trade Union Confederation
Marie Saulnier Bloch, koordinatore për qështje ndërkombëtare në Unia