Intervistë

Askush nuk duhet të rrezikojë shëndetin e tij për shkak të punës.

- Nivalda Still
Për më shumë se dhjetë vjet angazhohet Christine Michel për sigurinë në punë dhe mbrojtjen e shëndetit. Foto: Hilmi Gashi

Për më shumë se dhjetë vjet, Christine Michel është angazhuar në Unia për sigurinë në punë dhe mbrojtjen e shëndetit. Në komisione profesionale, zgjidhje degësh dhe trajnime, ajo angazhohet për parandalimin, mbrojtjen nga sëmundjet profesionale si dhe kundër stresit në rritje në vendin e punës. Në këtë intervistë, ajo flet për përgjegjësinë, mangësitë në parandalim dhe pse kushtet e shëndetshme të punës nuk janë një privilegj, por një e drejtë.

Në përditshmërinë tënde të punës merresh me aspekte të ndryshme të sigurisë në punë. Cilat janë temat dhe situatat më të shpeshta me të cilat përballesh?

Në kërkesat drejtuar Unia-s, shpesh bëhet fjalë për kushte të pasigurta pune që shumë punëmarrës i njohin: mungesa ose cilësia e dobët e veshjeve mbrojtëse, makineritë e rrezikshme, puna nën presionin e kohës ose pa një instruktim të duhur. Në përditshmërinë time, i kushtoj rëndësi faktit që edhe temat e mbrojtjes së shëndetit të mos neglizhohen. Këtu bëhet fjalë veçanërisht për mbrojtjen nga burnout-i, nga lëndët e rrezikshme kimike dhe për një mbrojtje të përmirësuar të amësisë.

Shumë nga rastet e tua lindin vetëm pasi ka ndodhur diçka. Ku i sheh mangësitë më të mëdha në parandalimin e fatkeqësive në punë?

Mangësia më e madhe është se siguria shpesh merret seriozisht vetëm kur diçka ka ndodhur tashmë. Megjithatë, shumë aksidente mund të parandaloheshin. Fatmirësisht, në vitet e fundit kemi arritur të ulim më tej shpeshtësinë e aksidenteve në shumë degë. Një sfidë mbetet identifikimi i rreziqeve të reja, p.sh. rreziqet për shkak të ndryshimeve klimatike si periudhat e nxehtësisë në rritje. Këtu ne kërkojmë që puna në ambient të hapur të ndërpritet mbi 33 gradë.
Sfida tjetër privon degët që janë më pak "nën radar", si sektori i shëndetësisë dhe gastronomia. Këto janë degë ku punojnë shumë gra dhe që janë sfiduese si fizikisht ashtu edhe në aspektin psikik. Ato janë më pak të dukshme sepse nuk bëhet fjalë për aksidente pune, të cilat tërheqin vëmendjen për shkak të natyrës së veçantë.  Pikërisht për sektorët e shërbimeve kërkojmë më shumë mjete për inspektoratet e punës, në mënyrë që të forcohen si fushatat parandaluese, ashtu edhe kontrollet.

Çka nënvlerësohet shpesh në fushën e sigurisë në punë në përditshmëri – si nga punëdhënësit ashtu edhe nga punëmarrësit?

Rreziqet në përgjithësi nënvlerësohen. Punëdhënësit duhet të njohin rreziqet ndaj të cilëve janë të ekspozuar punonjësit e tyre dhe t'i udhëzojnë ata me kujdes. Në këtë pikë, Zvicra shpesh mbetet prapa. Improvizimi nuk ia vlen kurrë. Gjithashtu, nënvlerësohet e drejta e bashkëvendosjes së punëmarrësve. Punonjësit e njohin më së miri situatën në vendngjarje, por paralajmërimet e tyre shpesh nuk dëgjohen.
Nga pikëpamja e Unia-s është e qartë: Parandalimi funksionon vetëm nëse punëmarrësit mund të thonë pa frikë se çfarë nuk është e sigurt – dhe nëse punëdhënësit e marrin seriozisht përgjegjësinë e tyre.

A ka pasur ndonjë rast në karrierën tënde të gjatë që ka ndikuar veçanërisht në botëkuptimin tënd mbi sigurinë në punë?

Tema e asbestit më ka shoqëruar gjatë gjithë viteve. Kur fillova punën, sapo u krijua fondi i kompensimit për viktimat e asbestit dhe familjarët e tyre. Ky ishte një moment historik, i cili u realizua edhe falë angazhimit të madh të ish-bashkëkryetarit Vasco Pedrina. Me këtë fond kompensimi, veçanërisht njerëzit që nuk ishin të siguruar kundër aksidenteve marrin një dëmshpërblim. Përveç kësaj, fondi u ofron të gjithë të prekurve mbështetje psikologjike. Për fat të keq, sëmundjet nga asbesti mbeten aktuale për shkak të valës së lartë të renovimeve. Edhe pse asbesti është i ndaluar që nga viti 1990, të gjitha ndërtesat para vitit 1990 mund të përmbajnë asbest. Në këtë fushë mbetet qendrore që të gjithë të përfshirët, por veçanërisht zejtarët e prekur, të jenë të informuar dhe të instruktuar mirë. Prania e asbestit duhet të përcaktohet gjithmonë para fillimit të ndërtimit dhe punimet e vëllimshme duhet të kryhen gjithmonë nga kompani të specializuara të sanimit.

Përveç aksidenteve, edhe sëmundjet profesionale dhe stresi i lidhur me punën po vijnë gjithnjë e më shumë në fokus. Çfarë roli luajnë këto tema në punën tënde të përditshme dhe ku e sheh nevojën më të madhe për veprim?

Kjo temë është shumë urgjente dhe i preokupon anëtarët tanë. Stresi, presioni i kohës, por edhe bullizmi në vendin e punës janë temat që i shqetësojnë ata. Një sfidë e madhe është që punëdhënësit të kuptojnë se në radhë të parë bëhet fjalë për planifikimin dhe organizimin më të mirë të punës dhe se ata mbajnë përgjegjësi këtu.

Për mbyllje, edhe duke parë drejt pensionimit tënd: Çfarë dëshiron t'u lësh si mesazh kolegëve të tu dhe punëmarrësve lidhur me temën e sigurisë dhe shëndetit në punë?

Shëndeti në vendin e punës është një nga temat kryesore të sindikatës. Kur angazhohemi për këtë, arrijmë së bashku me anëtarët tanë përmirësime konkrete në përditshmërinë e punës që ia vlejnë. Punëmarrësve u them: Ju keni të drejta – përdorini ato! Askush nuk duhet të rrezikojë shëndetin e tij për shkak të punës.