Në librin e saj "Atdheu i ri në bardhë e zi"* gazetarja e lindur në Peru, Rosa Amelia Fierro interviston migrant:et spanjisht folës nga Amerika Latine në Zvicër. Ata flasin për biografitë e tyre në vendet e tyre të origjinës dhe kështu për historinë më të re të kontinentit, shpjegojnë arsyet e tyre të migrimit, reflektojnë mbi proceset e tyre integruese dhe japin perspektivat e tyre për shoqërinë zvicerane. Horizonte në bisedë me autoren.
Rosa, çfarë ju ka shtyrë, që të shkruani këtë libër?
Popullata migrante spanjisht folëse nga Amerika Latine nuk bënë tituj dhe shfaqet e padiferencuar në statistikat nën titullin “Amerika”. Megjithëse në mes vitit 1981 dhe 2021 nga ky regjion janë natyralizuar 32'165 persona. Ky migracion është kryesisht femëror (20,143 gra dhe 12,022 burra gjatë kësaj periudhe kohore).Mirëpo ky libër nuk ka të bëjë me statistikat. Qëllimi im ishte, që këtë komunitet ta paraqes të pafiltruar, pa paragjykime e klishe. Unë mendoja, që këtë qëllim e arrijë më së miri, nëse unë ketë grup e lë të flas vetë. Unë kam intervistuar dymbëdhjetë persona, një grup i vogël, por shumë i larmishëm.
Personat e intervistuar kanë ardhur si të rritur në Zvicër. Cilat vështirësi kishin ata për tu integruar në tregun e punës?
Problemi i parë ishte gjuha. Shumica e tyre duhej ta mësonin në Zvicër gjermanishten dhe ta kuptonin edhe gjermanishten zvicerane. Vështirësia e dytë qëndronte në faktin, se arsimimi dhe përvoja e tyre profesionale nuk njihej e pranohej fare apo vetëm pjesërisht. Ky diskualifikim dhe zhvlerësim i fuqisë së kualifikuar punëtore nga i ashtuquajturi jug global i ka rrënjët e veta në kolonializëm. Rasti i partneres intervistuese nga Ekuadori e bënë të qartë këtë: Studimet e saj në administrim e ndërmarrjeve ekonomike dhe përvoja e saj profesionale në pozita drejtuese në një shtëpi botuese në Quito nuk u njohën me arsyetimin se ajo vinte nga "bota e tretë". Këshillimorja për karrierë profesionale i sugjeroj asaj të pranoj një vend pune në një ndërmarrje pastrimi. Kur mbeti e vejë, ajo në fakt punojë si fuqi pastrimi. Por ajo nuk u dorëzua, përkundrazi vazhdoi arsimimin më tej dhe sot, pasi rriti vetë tre fëmijë, punon në spital, kujdeset për njerëzit, bën punë vullnetare dhe angazhohet në politikën e vendit të saj. Njohuritë dhe aftësitë, që ajo fitoi në vendin e saj, edhe përkundër mosnjohjes zyrtare, ishin vendimtare për të gjetur vendin e saj në tregun e këtushëm të punës. Si institucionet zvicerane ashtu edhe punëdhënësit e mundshëm duhet të jenë më të hapur dhe të mos zhvlerësojnë paraprakisht aftësitë e migrant:eve. Mirëpo, më duhet të them se paragjykimet lihen mënjanë kur kërkesa për punëtorë është e lartë. Në lami të shëndetësisë për shembull ka gjithnjë e më shumë fuqi profesionale latino-amerikane
Gati të gjithë të intervistuarit janë "migrant:e martesor". A ka dallime mes martesës me një burrë zviceran apo me një grua zvicerane?
Po, të intervistuarat deklaruan se banesa e tyre, sigurimi shëndetësor dhe madje edhe kursi i gjermanishtes tashmë ishin organizuar kur ato arritën në Zvicër. Tek gratë e Amerikës Latine që janë të martuara me burra zviceranë, praktikohet, të paktën në vitet e para, modeli i jetës familjare tradicionale: Gruaja rrinë në shtëpi dhe kujdeset për fëmijët, ndërsa burri siguron jetesën. Tek amerikano latinët, të cilët martohen me një zvicerane, zakonisht është gruaja ajo që siguron bukën e gojës. Këto çifte janë më fortë të pafavorizuar, sepse zvicerania fiton më pak se zvicerani mirëpo më shumë se sa migranti. Kjo situatë bën që shumë burra latino amerikanë të marrin rolin e burrit të shtëpisë për një periudhë të caktuar kohore. Kështu mungojnë mjete financiare për një fillim të ri karriere apo trajnim të mëtejshëm. Në rast divorci, të dy mbesin në një situatë të pambrojtur.
Libri "Atdheu i ri në bardh e zi: Latino-amerikanët në Zvicër" është botuar në gjuhën gjermane dhe mund të gjindet në LibRomania, Ibercultura dhe në librarinë Zytglogge