Delegatët e grupeve të migracionit nga regjionet, në mbledhjen e Komisionit të Migracionit të Unia më 24 shkurt, përcaktuan synimet për vitin 2024 dhe diskutuan mbi aktivitetet e planifikuara. Ne pyetëm katër delegatë se çfarë do të thotë për ta sindikata Unia dhe grupi i migracionit të Unia dhe pse janë angazhuar në Komisionin e Migracionit.
Lazim Bakija, deri në daljen në pension ka punuar si skelendërtues. Sindikata për të është shumë e rëndësishme: «U anëtarësova në Unia sepse ajo mbron të drejtat e të gjithë punëtorëve dhe angazhohet për preokupimet e tyre. Për Unia-n nuk ka rëndësi se nga vijnë njerëzit, cilit besim fetar i përkasin, çfarë statusi qëndrimi kanë apo çfarë ngjyre lëkure kanë. Unia mbështet edhe kurset e gjuhës dhe trajnimet. Tek Unia kam gjetur mbështetje për të marrë shtetësinë».
Për ta bërë më të fortë sindikatën Unia, nevojiten anëtarë. Kështu Lazimi rekruton edhe anëtarë të rinj dhe shpërndan gazetat dhe informacionet e Unia në rrethin e tij dhe gjithmonë edhe nëpër punishtet e ndërtimit. Lazimi angazhohet mes tjerash edhe për të drejtat e personave pa leje qëndrimi (Sans-Papiers). Për të, grupi i migracionit është një vend ku ai mund të shprehet hapur dhe të flasë për vështirësitë e tij dhe të migrantëve. Ai thotë: «Grupi i migracionit Unia është i rëndësishëm për mua pasi që ne si migrantë mund të flasim për problemet tona dhe të luftojmë së bashku. Ne mund t'i adresojmë preokupimet tona deri te drejtoria qendrore dhe menaxhmenti - nga poshtë lart. Unia angazhohet politikisht për preokupimet e shqetësimet tona, qoftë për ligjin e të huajve, për natyralizimin, për të drejtat e njerëzve pa letra apo Sans-Papiers si dhe lanson nisma si kjo për pensionin e 13 të pleqërisë AHV/AVS».
Olga Pisarek, punon në shërbimin psikiatrik universitar të Bernës, qe dy vite është anëtare e Unia. Menjëherë pas anëtarësimit është aktive në grupin e migracionit dhe ka marrë përsipër edhe detyrën e bashkëkryetares të grupit regjional të migracionit MiForte. Për Olgën, sindikata Unia do të thotë mbi të gjitha mbështetje dhe solidaritet në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe migrantëve.
«Unia është një organizatë që angazhohet për kushte korrekte pune, paga të barabarta, mbrojtje nga diskriminimi dhe trajnime në vendin e punës. Për mua, UNIA është një vend i rëndësishëm për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe më të drejtë pune në Zvicër».
«Në grupin e migracionit kam mbi të gjitha një ndjenjë komuniteti dhe solidariteti. Së bashku me migrantët e tjerë, të cilët gjithashtu përballen me sfidat e migrimit dhe integrimit profesional, ne formojmë një grup të fortë që punon së bashku për të përmirësuar kushtet e punës dhe të jetesës. Kjo më jep mundësinë të ndikoj në vendimet për çështje që më prekin, edhe nëse nuk kam të drejtë të votoj në zgjedhje. Si rrjedhojë, pavarësisht se nuk mund të marr pjesë në proceset demokratike, megjithatë kam ende mundësinë të ndikoj përkitazi me vendimet që kanë të bëjnë me kushtet e mija të punës dhe të jetesës».
Döndü Yildirim, punon qe 25 vite në sektorin ushqimor dhe qe 24 vite është anëtare e Unia si dhe anëtare e kryesisë së regjionit Aargau-Zvicër veriperëndimore.
Për të, Unia është «organizata e themeluar nga punonjësit për të mbrojtur dhe përmirësuar të drejtat dhe interesat ekonomike, sociale dhe kulturore të punonjësve». Kjo është arsyeja pse ajo ka vendosur të marrë pjesë aktive në sindikatë. Ajo na tregon për vështirësitë e mëdha që ajo dhe kolegët e saj përjetojnë në punë. «Neve na janë caktuar 4 ndërrime. 4 ndërrime do të thotë të jesh shkëputur si nga jeta familjare ashtu edhe nga jeta shoqërore. Me fjalë të tjera, nuk punon për të jetuar, jeton për të punuar», thotë ajo. Ajo që e zemëron veçanërisht atë është trajtimi i njerëzve që për arsye shëndetësore nuk mund të punojnë me ndërrime: «Punonjësit, shëndeti i të cilëve nuk është i përshtatshëm për ndërrimin e natës, kërkohet të kenë dëftesën përkatëse mjekësore. Punonjësit që nuk mund të dorëzojnë një dëftesë të tillë do të thirren në zyrën e personelit dhe do të ndërpriten marrëdhënia e tyre e punës. Ajo e ka të qartë se së bashku me përgjegjësit e regjionit do të organizojnë një takim me kolegët e punës për t'u mbrojtur së bashku nga ky trajtim. Ajo trajtimin e migrantëve e konsideron të padrejtë».
«Me ligjet e reja do të rritet presioni ndaj migrantëve. Janë sindikatat dhe partitë e majta që po luftojnë për dhe bashkë me migrantët kundër legjislacionit kufizues dhe atij të migracionit. Unë jam duke marrë pjesë në Komisionin e Migrantëve për t'u informuar mbi të drejtat e punës së punëtorëve migrantë dhe për të informuar më pas edhe migrantët tjerë».
Hayri Akkiz, ka punuar për shumë vite si saldues dhe mekanik në industrinë e metalit në ndërmarrje të ndryshme. Për shkak të një aksidenti në punë është bë pjesërisht invalid. Ka 14 vite që punon me kohë të pjesshme në një kompani shitje reklamash. Hayri ka 29 vite që është anëtarë i sindikatës. Së pari ai, në vitin 1995, ishte bërë anëtarë i sindikatës së industrisë metalike SMUV dhe pas themelimit të sindikatës Unia, ai iu bashkua asaj.
Ai është aktiv në grupin drejtues të grupit të migracionit. Për Hayrin, Unia është shumë e rëndësishme për të mbrojtur fuqinë e tij punëtore dhe për të luftuar për të drejtat e tij. Ai beson se është thelbësore të forcohet anëtarësimi në sindikata si instrumente fuqizuese për t'ju qasur problemeve të përbashkëta dhe për një jetë më të mirë, në vend që të veprohet individualisht. Ai thotë: «Është e rëndësishme të përdoret anëtarësimi për të punuar së bashku për paga dhe kushte më të mira pune, pasi dëshira për përmirësime nuk mund të ndërtohet spontanisht. Punëtorët duhet të jenë pjesëmarrës në pasurinë që krijojnë përmes punës së tyre dhe të mos kenë nevojë të jetojnë me paga të pa mjaftueshme. Krahas rëndësisë dhe domosdoshmërisë për të qenë i organizuar në sindikatë, punëtorët e huaj, në një vend të huaj, kanë edhe vështirësi dhe probleme shtesë, me të cilat përballen. Diskriminimi, ksenofobia, racizmi dhe puna e vështirë dhe e paguar dobët paraqesin sfida të përhershme. Komisioni i Migracionit është i rëndësishëm për të vepruar në solidaritet me perspektivën e migrantëve në luftën e përbashkët të të gjithë punonjësve kundër këtyre sulmeve ndaj të drejtave themelore».