Migracion
Intervistë

Intervistë me Hilmi Gashin, drejtues i grupeve të interesit në Unia

- Imran Sariaslan
Hilmi Gashi vor einer Bücherwand

Hilmi Gashi, ti në nëntorin e vitit të kaluar ke marrë pjesë në konferencën mbi temën e mungesës së fuqisë punëtore profesionale dhe migracionit në ETH të Cyrihut. Në punëtorinë, në të cilën ti ke marrë pjesë, është biseduar për rininë dhe migrantët. Sipas mendimit tënd, cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballen migrantët në tregun zviceran të punës?

Një nga sfidat më të mëdha është padyshim diskriminimi strukturor me të cilin përballen shumë migrantë. Filluar nga barrierat tek qasja deri tek pengesat në punë dhe në karrierë. Për fat të keq, ekziston një mënyrë qasjeje nga shumë punëdhënës të cilët nuk marrin parasysh aftësitë dhe përvojën e aplikantëve, por përkundrazi përqendrohen në atë që mund të mos jenë ende në gjendje të bëjnë. Rosita Fibbi nga Universiteti i Neuchâtel-it i ra pikës kur foli për një «hierarki të origjinës». Varësisht nga vendi i origjinës është shpesh e vështirë të gjesh një punë të kualifikuar.

Cilat masa konkrete u diskutuan në konferencë për të adresuar këto sfida dhe për të përmirësuar integrimin e migrantëve?

Ne biseduam masa të ndryshme për të promovuar pjesëmarrjen e barabartë të migrantëve dhe për të kapërcyer diskriminimin në tregun e punës. Kjo përfshin, për shembull, reduktimin e pengesave strukturore, si atyre ligjore ashtu edhe atyre të natyrës shoqërore. Është e rëndësishme që kualifikimet, aftësitë dhe përvoja që sjellin migrantët me vete të njihen dhe të promovohen. Ka nevojë për njohje joburokratike të diplomave të huaja. Pastaj marrja parasysh e këtyre kualifikimeve në kontratat kolektive të punës. Ato do të ishin të rëndësishme për pagat dhe do të paraqiste një pengesë më pak për karrierën në të ardhmen.

Ti e ke tematizuar gjithashtu edhe situatën e të rinjve. Pse sipas mendimit tënd është e rëndësishme që të rinjtë të mbështeten më mirë në zgjedhjen e profesionit edhe gjatë
aftësimit profesional të tyre?

Të rinjtë luajnë një rol vendimtar në përballimin e mungesës së fuqisë profesionale të punës, por shumë prej tyre për shkak të kushteve të këqija të punës dhe pagave zgjedhin të mos ndjekin një profesion apo mësim zejeje të caktuar. Është urgjentisht e nevojshme që të rinjtë të çmohen e të vlerësohen më shumë, p.sh. përmes pagave më tërheqëse. Nxënia e zejes duhet kuptuar gjithashtu si mësim dhe jo vetëm si punë e pastër produktive. Të rinjtë duhet që gjatë trajnimit të tyre të mbështeten në mënyrë që ata të mund të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë. Mirëpo ata gjithashtu duhet të mbrohen nga shfrytëzimi, mobingu dhe ngacmimi seksual. Mbrojtja e shëndetit dhe siguria në punë gjithashtu luajnë një rol shumë të rëndësishëm në këtë moshë.

Ti ke sugjeruar masa konkrete për integrimin e migrantëve dhe përmirësimin e situatës së të rinjve. Çfarë roli luan Unia në lidhje me këto aspekte?

Unia luan një rol vendimtar në përfaqësimin e të drejtave dhe interesave të punëmarrësve, pavarësisht nga origjina e tyre. Ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive për të luftuar racizmin, ngacmimin seksual dhe mobingun, si formë e dhunës fizike dhe psiqike në vendin e punës. Përveç kësaj, ne po luftojmë për të siguruar që migrantëve t'u jepen mundësi më të mira integrimi dhe që potenciali i tyre të njihet dhe promovohet në një fazë të hershme. Nëpërmjet punës sonë, ne përpiqemi për një botë pune gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, në të cilën të gjithë kanë të njëjtat mundësi, pavarësisht nga prejardhja e tyre.