Intervistë

Kardiologia Nazan Walpoth përgjigjet në peyetjet tona

- Emine Sariaslan
Dr. med Nazan Walpoth (zvg)

Problemet në qarkullimin e gjakut, deri te infarkti në zemër, po shtohen. Shumë njerëz e vërejnë këtë në rrethin e tyre. Ne e pyetëm kardiologen Nazan Walpoth për shkaqet dhe masat parandaluese dhe ato mbështetëse

 

A është rritur numri i infarkteve në zemër apo i sëmundjeve kardiovaskulare? Nëse po, sa për qind?

Po, në shumë vende industriale, përfshirë Zvicrën, vitet e fundit është vërejtur një rritje e disa sëmundjeve kardiovaskulare – veçanërisht te gratë dhe te personat me status socio-ekonomik të ulët. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë shkaku kryesor i vdekjeve në botë. Në Zvicër, rreth 20'000 njerëz vdesin çdo vit si pasojë e tyre – që përbën rreth 30 % të të gjitha vdekjeve. Të dhënat tregojnë se veçanërisht gratë më të reja (nën 55 vjeç) po preken gjithnjë e më shumë.

Cilat janë arsyet për këtë?

Shkaqet janë të shumta – si mjekësore ashtu edhe shoqërore. Do t’i përmend sipas një rendi.
Një shkak janë kushtet e punës: stresi në vendin e punës, orët e gjata të punës, mungesa e pushimeve, puna me turne dhe punësimi i pasigurt ndikojnë negativisht në sistemin kardiovaskular. Veçanërisht në profesionet e vështira, si në kujdesin shëndetësor, pastrim, logjistikë apo gastronomi – ku punojnë shumë gra dhe migrante – rreziku është më i lartë.
Ka edhe dallime gjinore: infarktet te gratë shpesh zbulohen me vonesë ose diagnostikohen gabimisht, sepse simptomat mund të jenë të ndryshme nga ato të burrave (p.sh. të përziera, dhimbje në shpinë në vend të dhimbjes në kraharor). Për më tepër, shumë studime mjekësore vazhdojnë të fokusohen te burrat.
Sa i përket faktorëve shoqërorë, njerëzit me të ardhura të ulëta, kushte të këqija banimi apo pa qasje në kujdesin shëndetësor janë më të rrezikuar. Për migrantet shtohen pengesat gjuhësore, diskriminimi dhe mungesa e qasjes në informacione shëndetësore.
Dhe së fundi, stresi psikosocial: diskriminimi, racizmi, ngarkesa e shumëfishtë nga puna dhe kujdesi i papaguar (p.sh. kujdesi për fëmijët) kontribuojnë ndjeshëm në lodhje dhe kështu në sëmundje kronike.

Kur dikush tregon për një infarkt në rrethin e vet, shpesh lidhet me vaksinimin apo me një sëmundje të kaluar nga COVID. Çfarë thua ti si mjeke për këtë?

Tema është komplekse. Në fakt, një infeksion me COVID-19 mund të dëmtojë zemrën, p.sh. përmes inflamacionit (kalljes) të muskulit të zemrës (miokarditit) apo trombozave (vaksinat me vektor nuk janë përdorur në Zvicër). Vaksinimi mbron nga këto rreziqe, veçanërisht për grupet e pambrojtura apo të ndjeshme. Rreziqet nga vaksina janë shumë të ulëta, krahasuar me sëmundjen vetë, e cila për personat vulnerabël paraqet rrezik shumë të lartë.
Miokarditi pas vaksinimit me vaksina mRNA është vërejtur kryesisht te meshkujt e rinj, por ka qenë shumë i rrallë dhe zakonisht i lehtë. Të dhënat tregojnë qartë: rreziku për dëmtim të zemrës është dukshëm më i lartë nga infeksioni vetë sesa nga vaksina. E rëndësishme është: për njerëzit në situata të vështira jetësore (stres, varfëri, presion migrimi), një sëmundje me COVID mund të jetë një ngarkesë shtesë – edhe për zemrën.

Çfarë duhet të bëjnë politika, individi dhe shoqëria për të ulur numrin e infarkteve dhe problemeve të zemrës?

Politika ka përgjegjësi: mund të përmirësojë kushtet e punës përmes ligjeve, të mbështetë dhe nisë fushata parandaluese, të sigurojë qasje në kujdesin shëndetësor për të gjithë – pavarësisht prejardhjes apo statusit të qëndrimit. Të promovojë mjekësinë e cila është edhe e përgaditur dhe e ndjeshme ndaj temave mjekësore në lidhje me gjininë.
Por edhe ne si shoqëri mund të bëjmë shumë. Të heqim tabutë rreth ngarkesave psikike, të informojmë për shenjat e veçanta për gratë, të promovojë lëvizjen, ushqimin e shëndetshëm dhe zvogëlimin dhe uljen e stresit. Si individ kam gjithashtu disa mundësi: Lëvizje, ushqim i shëndetshëm, vëmendje ndaj shenjave paralajmëruese. Gratë duhet të kujdesen aktivisht për shëndetin e zemrës dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast shqetësimesh dhe shenjave të cilat i dërgon trupi.

Çfarë mund të bëjë një sindikatë si Unia?

Të ushtrojë presion politik për orare të drejta pune, mbrojtje më të mirë shëndetësore, pjesëmarrje në vendimmarrje në vendin e punës.
Të punojë në mënyrë të fokusuar te grupet e synuara, pra t’i drejtohet grave, migranteve, të punësuarve me status të pasigurt – edhe në gjuhën që ata apo ato e kuptojnë.
Informim dhe trajnime: për shëndetin e zemrës, menaxhimin e stresit, të drejtën e punës dhe qasjen në shërbimet shëndetësore.
Të krijojë aleanca: me organizata profesionale, OJQ dhe aktorë të shëndetësisë – për zgjidhje gjithëpërfshirëse shoqërore.

Dr. med. Belinda Nazan Walpoth, specialiste për kardiologji FMH/FMS, deputete në Kantonin Bern dhe anëtare e bordit të Fondacionit të Bernës për promovimin e mjekësisë familjare.