Demonstrata kombëtare «Mes nesh nuk ka kufij» do të zhvillohet më 26 shtator 2026 në Sheshi i Federatës në Bernë. Ajo bën bashkë njerëz me dhe pa histori migracioni, sindikata, shoqata dhe organizata të shoqërisë civile, për të dhënë një sinjal për të drejtat e njeriut, solidaritetin dhe një politikë migracioni njerëzore. Përpara demonstratës, Cyprien Baba tregon se pse pjesëmarrja është një çështje e rëndësishme personale për të.
Pjesëmarrja në demonstratën e 26 shtatorit 2026 në Bernë më zgjon një shpresë të re. Kur ndjekim lajmet ndërkombëtare, shpesh jemi të indinjuar nga shprehjet urrejtëse dhe raciste, si dhe nga imazhet çnjerëzore, përmes të cilave njerëzit me sfond të migracionit paraqiten si të ligë.Jam veçanërisht i lumtur kur shoh se ka ende organizata, të cilat mbeten të palëkundura e luftarake dhe përcjellin një mesazh tjetër – organizata që vendosin në qendër të synimeve të tyre respektin për të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo individi.
Ekziston një përputhje e vërtetë mes kërkesave kryesore të lëvizjes së migracionit dhe betejave sindikale për përmirësimin e kushteve të punës dhe të jetesës.Le të marrim për shembull kërkesën për një rregullim të sigurt të qëndrimit për migrantët, duke u garantuar atyre leje të qëndrueshme qëndrimi për të shmangur stresin me dokumentet dhe jetesën e pasigurt. Në Zvicër, migrantët nuk janë të gjithë të barabartë për shkak të sistemit aktual të lejeve të qëndrimit. Le të marrim si shembull lejen B të punës. Për shtetasit e Bashkimit Evropian dhe EFTA-s, kjo leje është rregullisht e vlefshme për pesë vjet dhe mund të zgjatet në kushte të caktuara. Për shtetasit nga vendet e treta (jashtë BE/EFTA), ajo shpesh zgjatet çdo vit dhe është e lidhur me kushte të rrepta, veçanërisht me ekzistencën e një kontrate pune.Kjo situatë përbën nganjëherë një pengesë për disa punëmarrës me sfond migracioni që të anëtarësohen në një sindikatë. Këta shpesh preken nga padrejtësitë ose vendimet arbitrare, por nuk guxojnë të kërkojnë të drejtat e tyre sepse duan të mbajnë lejen e tyre të qëndrimit për të siguruar jetesën e familjes së tyre.Një pikë tjetër e rëndësishme është lufta kundër diskriminimit, veçanërisht në qasjen në tregun e punës. Prandaj, si sindikatë, ne angazhohemi gjithashtu për njohjen e diplomave të huaja dhe për një pjesëmarrje më të fortë politike të migrantëve.
Ka 17 vite, që jetoj në Zvicër. Kam pasur mundësinë të marr pjesë aktivisht në jetën politike të komunës sime dhe angazhohem brenda sindikatës Unia.Përmes aktiviteteve të mia të ndryshme takoj njerëz me prejardhje më të ndryshme dhe me këndvështrime të ndryshme. Si një person që i përket – siç më pëlqen të them – një «pakice të dukshme», mund të dëshmoj se si disa shprehje dhe sjellje raciste dhe ksenofobe po konsiderohen gjithnjë e më shumë si normale dhe po shprehen pa pikë turpi dhe pa ndërgjegje. Unë vetë kam përjetuar një situatë veçanërisht tronditëse. Disa vite më parë, rreth orës 18:00, një fqinj ndali qëllimisht furnizimin me ujë të ndërtesës sonë të banimit, pa na informuar. Kur vura re se në banesën time nuk rridhte më ujë, zbrita në bodrum për të hapur përsëri rubinetin e ujit, në mënyrë që vajza ime të mund të bënte dush.Disa minuta më vonë, dikush ra ziles së banesës sime. Kur e hapa, u befasova kur pashë dy policë para meje, të cilët ishin thirrur nga ky fqinj.Pa u përpjekur fare të dëgjonte shpjegim të ngjarjes nga ana ime, njëri nga policët filloi të bërtiste në drejtimin tim, duke u shprehur vrazhdë: « Nuk jemi në Afrikë» Mund ta merrni me mend se çfarë tronditje shpirtërore shkaktoi kjo deklaratë te mbarë familja ime.
Pjesëmarrjen në këtë demonstratë e shoh si detyrë: detyrë për të vazhduar angazhimin tim për të drejtat e njeriut, veçanërisht për dinjitetin e njerëzve me sfond migracioni. Demonstrata ofron gjithashtu mundësinë për të shprehur solidaritetin tim me të gjithë ata që kalojnë kohë të vështira dhe ndonjëherë përjetojnë situata të rënda dhe tmerruese. Mendoj se është vendimtare që politika zvicerane e migracionit të bëhet më njerëzore, duke siguruar respektimin e dinjitetit dhe të drejtave themelore të migrantëve si dhe të azilkërkuesve.
Cyprien Baba, është i lindur në vitin 1965. Në maj të vitit 2009, erdhi nga Bregu i Fildishtë në Zvicër për t'u bashkuar me familjen, më saktësisht në komunën Le Locle. Pasi kishte një të kaluar politike në vendin e tij, ai filloi menjëherë të merrej me organizimin e shoqatave të ndryshme. Që nga viti 2016, ai është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm (parlamentit) të komunës së tij. Gjithashtu, Cyprien Baba është bashkëkryetar i Komisionit të Migracionit në sindikatën Unia dhe anëtar i kryesisë qendrore të kësaj sindikate.