Intervistë

Punëtorët e ndërtimit kërkojnë respekt për punën e tyre të rëndë

- Emine Sariaslan

Punëtorët e ndërtimit po luftojnë për kushte më të mira pune dhe duan të rinovojnë kontratën kolektive të punës. Greva dhe aksione proteste janë zhvilluar në kantonet Ticino, Bernë, Lozanë, Gjenevë, Lucern, Nojshatel dhe Bazel. Më 14 nëntor do të mbahet protesta në Cyrih. Biseduam me Nico Lutz, drejtues i sektorit të ndërtimit në sindikatën Unia.

Pse po bëni grevë? Cilat janë qëllimet tuaja?

Kontrata kolektive për sektorin kryesor të ndërtimit skadon në fund të vitit 2025. Pa kontratë nuk ka pagë minimale, pagë të 13-të dhe as mbulim të drejtë në rast sëmundjeje. Prandaj, për punëtorët e ndërtimit kjo është shumë e rëndësishme. Ata duan një kontratë të re – por më të mirë. Sot, ditët e punës janë tepër të gjata, sidomos në verë. Punëtorët punojnë deri në 9 orë në vapë të madhe, dhe shpesh ka edhe orë shtesë të pa planifikuara. Koha e udhëtimit nga depoja e firmës deri në kantier shpesh nuk paguhet. Kjo do të thotë se punëtorët largohen nga shtëpia kur fëmijët janë ende në gjumë dhe kthehen të rraskapitur kur ata janë sërish në shtrat. Nuk është çudi që sektori ka gjithnjë e më shumë vështirësi për të motivuar të rinjtë të zgjedhin këtë profesion të bukur. Prandaj, vitin e kaluar punëtorët vendosën kërkesat e tyre: ditë më të shkurtra pune, pushim të paguar, fund me kohën e udhëtimit pa pagesë dhe rritje të drejtë page – sepse jeta po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë.

Si ka qenë pjesëmarrja në grevë në rajone të ndryshme?

Punëtorët e ndërtimit janë mësuar të luftojnë për të drejtat dhe dinjitetin e tyre. Ditët e protestës në Ticino, Bern dhe Basel, si dhe në kantonet frankofone, ishin shumë mbresëlënëse. Sindikatat kanë pasur gjithmonë një nivel më të lartë organizimi në Zvicrën latine – në Ticino dhe Romandie (shpjegim i redaksisë: pjesën franceze të Zvicrës) – dhe kanë mundur të mobilizojnë më mirë. Në Ticino morën pjesë 2500 punëtorë, në gjithë Romandie 7000. Në Bern dhe Zvicrën veriperëndimore rreth 1000 në secilin kanton. Kjo është më mirë se tre vite më parë. Javën e ardhshme do të mbahet protesta në Cyrih.

Si ka reaguar Shoqata Zvicerane e Ndërtuesve?

Deri në verë 2025, Shoqata Zvicerane e Ndërtuesve (SBV/SSE/SSIC) refuzoi të negocionte. Zakonisht fillojmë negociatat në shkurt ose mars, por këtë vit u nisëm me vonesë për shkak të SBV. Në vend që të negocionte, SBV paraqiti në gusht një kontratë “moderne”. “Moderne” do të thoshte: ditë edhe më të gjata pune me më pak pagë, të shtunën si ditë normale pune pa pagesë shtesë, dobësim të mbrojtjes nga pushimi për punëtorët e moshuar dhe ata me sëmundje apo aksidente, paga më të ulëta për të rinjtë që sapo kanë përfunduar formimin profesional. SBV donte të anulonte të gjitha përmirësimet që kemi arritur me negociata të vështira. Ne u thamë: harroni këtë. Kemi propozuar vazhdimisht përshpejtimin e negociatave. Donim një rezultat në shtator. E kemi bërë të qartë që nga mesi i tetorit punëtorët do të ndalonin punën. Megjithatë, SBV/SSE/SSIC u indinjua kur punëtorët bënë atë që kishin paralajmëruar.

A mendoni se do t’i arrini qëllimet tuaja?

Negociatat po vazhdojnë – kjo është pozitive. Sepse punëtorët dhe firmat kanë interes për një kontratë kolektive. Pa të, ka rrezik për ulje pagash dhe firmat korrekte do të kenë vështirësi, sepse firmat që paguajnë më pak do të ofrojnë çmime më të ulëta. I gjithë sektori do të rrezikohej. Por pozicionet në negociata janë ende shumë larg. Nuk mund të parashikoj nëse do të kemi marrëveshje këtë vit apo nëse do të duhet të planifikojmë një valë tjetër grevash në 2026. Ne duam një zgjidhje – por kjo nuk varet vetëm nga ne.