Punë
Intervistë

Vapë e madhe – puna jashtë duhet të lihet!

- Florian Rudin

Sipas MeteoSchweiz: Vera e vitit 2026 ishte më e nxehta që nga fillimi i matjeve në Zvicër. Edhe në të ardhmen priten më shumë ditë përvëluese. Kjo prek veçanërisht punëtorët që përballen me diellin dhe vapën gjatë punës. Nico Lutz nga udhëheqja e sindikatës Unia shpjegon rreziqet dhe të drejtat e punëtorëve të ndërtimit.

Sa shumë i godet vapa punëtorët e ndërtimit?

Kush bën punë të rëndë fizike në mbi 30 gradë rrezikon seriozisht shëndetin. Vapa e madhe shkakton tharje të trupit apo edhe goditje nga nxehtësia. Gjithashtu, në ditët e nxehta ndodhin shumë më tepër aksidente në punë. Në një pyetësor që bëmë me rreth 1000 punëtorë këtë verë, 15% e tyre treguan se ata vetë ose kolegët e tyre u ra të fikët në punë nga vapa e padurueshme.

Çfarë masash duhet të merren në vendin e punës?

Pronarët e firmave duhet të sigurojnë ujë të mjaftueshëm për të pirë, krem dielli, rroba mbrojtëse dhe vende me hije për të pushuar. Po ashtu, puna duhet t'i përshtatet temperaturave. Kjo do të thotë që punët e rënda të bëhen herët në mëngjes dhe të shmanget qëndrimi nën diellin përvëlues.

Çfarë rregulli vlen kur temperaturat janë shumë të larta?

Sipas udhëzimeve zyrtare të sigurimit të aksidenteve (Suva), kur temperaturat arrijnë në 33 gradë, punëtorët duhet të bëjnë 15 minuta pushim çdo orë. Ky pushim paguhet si kohë pune. Ne kërkojmë që në këto temperatura puna e rëndë jashtë të ndërpritet plotësisht, sidomos aty ku nuk ka hije të përhershme.

A kërkon Unia që të lihet puna për shkak të vapës?

Ne kërkojmë rregulla të qarta dhe të detyrueshme me ligj. Kur vapa bëhet e rrezikshme, puna jashtë duhet të ndalet. Ne duam që rregulli për temperaturën 33 gradë të vlejë për të gjithë Zvicrën. Këtu nuk bëhet fjalë për komoditet, por për të mbrojtur shëndetin dhe për të parandaluar aksidentet apo vdekjet.

Ndërprerja e punës sjell vonesa dhe kosto. Si i përgjigjet Unia këtij problemi?

Rreziqet dhe humbjet e parave nuk duhet t'u lihen mbi shpinë punëtorëve apo firmave të ndërtimit. Kur puna ndalet nga vapa e madhe, afatet e dorëzimit të ndërtesave duhet të shtyhen. Ata që porosisin ndërtimet duhet ta pranojnë se ndryshimi i klimës sjell pasoja. Shëndeti i punëtorëve është më i rëndësishëm se kapja e një afati me çdo kusht.

A ka bashkëpunim mes sindikatave dhe pronarëve për këtë pikë?

Deri në pranverë kemi pasur bashkëpunim të mirë me shoqatën e ndërtuesve. Kishim rënë dakord që në 33 gradë puna në përgjithësi të ndalet. Por kur erdhi puna për ta futur këtë rregull zyrtarisht në ligj, shoqata e ndërtuesve u frikësua dhe u tërhoq. Kjo është për të ardhur keq. Tani ata mbledhin nënshkrime për një kërkesë që nuk ka asnjë fuqi ligjore, në vend që të vendosin rregulla të prera së bashku me ne.

Çfarë pret Unia nga politika dhe shteti?

Rregullat duhet të futen urgjentisht në ligjet e shtetit. Këshillat dhe rekomandimet e thjeshta nuk bëjnë punë. Vetëm 20% e vendeve të ndërtimit i kanë bërë pushimet e kërkuara gjatë vapës së madhe. Pas kësaj, sigurimi zyrtar (Suva) duhet të bëjë kontrolle në terren. Nuk është e drejtë që punëtorët të paguajnë me shëndetin e tyre sepse politikanët nuk veprojnë.

Çfarë bën Unia konkretisht në terren?

Ne shkojmë te punëtorët, i njoftojmë për të drejtat e tyre dhe kontrollojmë nëse po zbatohen masat mbrojtëse. Aty ku rregullat shkelen, ne i ndihmojmë punëtorët të kërkojnë të drejtat e tyre. Po qe nevoja, ne e ndalim punën së bashku me punëtorët derisa situata të rregullohet.

Mesazhi juaj kryesor për fund?

Mbrojtja nga vapa nuk është luks, por mbrojtje e jetës. Asnjë ndërtim nuk është aq urgjent sa të rrezikohet shëndeti apo jeta e një punëtori.