Ishte një dhuratë me helm që Qeveria federale u dha rrogëtarëve në Zvicër në mbledhjen e saj të fundit para krishtlindjeve: Mbrojtja e largimit nga puna nuk do të duhej të përshtatej vetëm me standardet minimale ndërkombëtare. Zyrtarisht thuhet se Ministri i Ekonomisë Guy Parmelin (SVP/UDS) thjesht ka «pezulluar përkohësisht» ndërmjetësimin. Por në fakt kjo domethënë: Ndërmjetësimi ka dështuar.
Kryetarja e Unia Vania Alleva thotë: «Dështimi ndërlidhet me qëndrimin e papërgjegjshëm të shoqatës së punëdhënësve dhe mungesës së guximit të Qeverisë federale. Është skandaloze që mbrojtjen e punonjësve ndaj largimeve të padrejta nga puna nuk duan ta ngrenë as në minimumin e njohur ndërkombëtarisht». Kjo është arsyeja pse sindikatat do të ndërmarrin shpejt një nismë popullore.
Për më shumë se njëzet vjet, punëdhënësit kanë refuzuar me kokëfortësi të përmirësojnë mungesën e mbrojtjes për punonjësit aktivë në sindikata. Zvicra në fakt ka ratifikuar Konventën përkatëse Nr. 98 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës – ONP (ILO), por ajo nuk e zbaton atë. Kjo nuk mund të zgjat pafundësisht. Kjo është arsyeja pse ILO e vendosi Zvicrën në një listë të zezë në vitin 2019, pasi që ajo nuk mbron në mënyrë adekuate të drejtat e punëtorëve.
Pikërisht: Zvicra u hoq nga lista e zezë e ONP-së vetëm se dha pëlqimin për ndërmjetësim. Mbetet të shihet nëse Zvicra do të futet sërish në listën e zezë.